Prej disa vjetësh po zvarritet finalizimi i dy objekteve shkollore në Ferizaj, punimet e të cilave kishin nisur në pronë të AKP-së sipas pëlqimeve dhe vendimeve të ish-Qeverisë Haradinaj. Ndërkohë në vitin 2021 ato vendime ishin shfuqizuar dhe pronat e tilla i janë rikthyer AKP-së. Shkaku i kësaj, dy objekte shkollore, në të cilat janë investuar miliona euro nga komuna dhe Ministria e Arsimit, kanë mbetur pa u finalizuar
Dy objekte shkollore me vlera milionëshe prej disa vjetësh kanë mbetur pa u finalizuar në qytetin e Ferizajt.
Kjo për shkak se komuna dhe Ministria e Arsimit kanë bërë investime në një pronë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë Haradinaj, por që ai është ndryshuar nga Qeveria Kurti.
Drejtuesit e shkollës së mjekësisë kanë thënë se disa herë ka bërë kërkesa në institucionet që të zgjidhen kontestet dhe të finalizohet objekti i ri.
“Për neve kjo shkollë nuk i plotëson kriteret. Në radhë të parë kemi mungesë të kabineteve sepse mungojnë hapësirat në përgjithësi si për sallën e edukatës fizike e të tjera dhe nxënësit tanë nuk kanë se ku ta zhvillojnë mësimin praktik”, ka thënë Bahrije Hoxha, drejtoreshë e shkollës “Elena Gjika”.
“Në shkollën tonë mungojnë kabinetet e lëndëve mjekësore, si kimi, fizikë, biologji, tik, e të tjera. Vështirësi kemi jashtëzakonisht shumë në mungesë të kabineteve”, ka theksuar Bardhyl Xheladini, zëvendësdrejtor i kësaj shkolle.
Për kushtet e rënda teknike në këtë shkollë, shqetësime kanë shprehur edhe prindërit e nxënësve.
“As për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet teknike. Nuk ka kabinete, edhe pse kjo shkollë duhet të pajiset me kabinete për arsyeje se lidhet ana teorike me anën praktike. Mirëpo këtu nuk ka as ngrohtore funksionale dhe çdo gjë këtu mungon”, ka theksuar Ahmet Ejupi, një nga prindërit.
Ndërkaq Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se komuna po pret përgjigje nga AKP-ja.
“Nga informacionet dhe takimet që i kemi pasur me AKP-në kanë premtuar se gjatë kësaj periudhe kohore deri nga fundi i këtij muaji do ta shqyrtojnë kërkesën tonë që ta dimë se si do të veprojmë ne. Pra jemi duke e pritur një përgjigje dhe në momentin që ata na japin pëlqimin, atëherë ne e kemi kontraktonin e kontraktuar, pastaj e kemi buxhetin e ndarë dhe nuk e kemi telashe për të filluar punimet dhe të përfundon sa më shpejt”, ka thënë Llabjani.
AKP-ja nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka sqaruar se nga të gjitha pronat, për të cilat Qeveria i ka shfuqizuar vendimet vetëm për Komunën e Suharekës, AKP-ja ka dhënë aprovim për lejimin e zhvillimit të projektit kapital me interes të përgjithshëm.
“Sa u përket komunave të tjera, përfshirë edhe Komunën e Ferizajt, AKP-ja nuk ka dhënë asnjë lloj pëlqimi/aprovimi për shfrytëzim apo bartje në emër të komunave respektive”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.