Me kërkesën e banorëve të fshatit Malishevë të Gjilanit, Komuna kishte filluar rrënimin e objektit të Shtëpisë së Kulturës.
Megjithatë, ata ishin të detyruar që ta ndalin këtë pasi Ramadan Maliqi, banor i këtij fshati, pretendon se prona është e tij, raporton KTV.
Kërkesën për kthim të saj e ka dërguar në gjykatën kompetente që nga 2015-a.
Ai thotë se këtë objekt planifikon që ta ruajë në kujtim të familjes së tij.
Përfaqësuesi i këtij fshati thotë se kanë kërkuar që ta rrënojnë objektin pasi nuk u hyn në punë asgjë dhe në vend të tij, është paraparë që të ndërtohet objekti, i cili do të shërbejë për këshillin e fshatit.
Por, zyrtarët të Komunës së Gjilanit thonë se prona është komunale dhe se për këtë posedojnë dokumentet kadastrale.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, thotë se rrënimi i objektit është i domosdoshëm, meqë paraqet rrezikshmëri për jetën e banorëve për shkak të dëmtimit dhe vjetërsisë.
“Kemi filluar punimet me kërkesë të Këshillit të fshatit, për rrënimin e objektit, që është vlerësuar edhe nga Inspektorati komunal që paraqet rrezikshmëri të lartë. Tani është paraqitur një person me pretendimet se prona është e tij dhe se i ishte konfiskuar shumë herët. Komuna i ka ndërprerë punimet deri në vendimin e gjyqit. Mirëpo, në të gjitha dokumentet kadastrale, të cilat i posedojmë, dëshmohet se prona është komunale dhe se nuk qëndrojnë pretendimet e palës, e cila deklaron se prona është e tij”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit.
Ismajli shton se ky objekt është në listën e rrënimeve dhe pas përfundimit të këtyre procedurave, do të vazhdojnë me rrënimin.