Edhe një konsull i përgjithshëm ka njoftuar për përmbylljen e mandatit katërvjeçar zgjedhja e të cilit ishte kontestuar për shkak të mungesës së ligjshmërisë. Ish-gazetari Donat Syla ka njoftuar përmes Facebook-ut se ka kryer misionin dhe se në verë do të kthehet në Kosovë. Veç tij janë edhe katër konsuj tjerë të emëruar në mënyrë të jashtëligjshme për të cilët nuk është treguar nëse do të shkarkohen.
Konsulli i përgjithshëm Donat Syla, emërimi i të cilit ishte konsideruar i jashtëligjshëm, ka përfunduar misionin e tij më shumë se katërvjeçar në Toronto të Kanadasë.
Përmes një statusi në Facebook, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video të aktiviteteve, Syla ka njoftuar për fundin e mandatit në misionin që thotë se e ka themeluar vetë.
“Pas një periudhe më shumë se katërvjeçare të angazhimit tim si themelues dhe shef i misionit të Republikës së Kosovës në Toronto i erdhi fundi kësaj detyre fisnike. Ka qenë privilegj, sfidë, përgjegjësi dhe satisfaksion angazhimi im që nga dita e parë kur erdha në Kanada për të themeluar misionin e deri në ditën e sotme kur ky mision ka marrë trajtën e tij dhe do të vazhdojë që të jetë dritare e Republikës së Kosovës në metropolin kanadez për të përfaqësuar vlerat më të mira të saj”, ka shkruar ai.
Por Syla ishte futur në shërbim diplomatik në periudhën kur Ministria e Punëve të Jashtme emëronte konsuj të përgjithshëm pa u hapur konsullatat.
Dekreti për emërimin e tij ishte nxjerrë më 8 mars 2018 nga ish-presidenti Thaçi. Ndërkaq Konsullata ishte inauguruar tek në dhjetor të vitit 2018.
Veç Sylës, edhe katër konsuj të përgjithshëm të emëruar me çelës politik, ligjshmëria e të cilëve është kontestuar, mbeten të paprekshëm nga ministrja Donika Gërvalla.
Pas më shumë se një viti të Qeverisë Kurti detyrën vazhdojnë ta ushtrojnë: konsullja e përgjithshme në Stamboll, Suzanë Novobërdaliu; ai në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Agim Krasniqi; konsulli i përgjithshëm në Zarë, Esat Brajshori, dhe Afrim Nura, që vazhdon të punojë si konsull i përgjithshëm në Munih.
Të gjithë këta ishin emëruar nga qeveritë e kaluara.
KOHA kishte pyetur në Ministri në lidhje me këtë çështje, por nuk ka ofruar përgjigje.
Sipas ligjeve që rregullojnë Shërbimin e Jashtëm, konsujt nuk mund të emërohen me çelës politik. Me çelës politik mund të emërohen më së shumti deri në 50 për qind e shefave të misioneve diplomatike, kurse të gjithë anëtarët e tjerë të stafit diplomatik e konsullor duhet të jenë nga radhët e diplomatëve të karrierës.