Arbëri

Konsiderohet shqetësuese rritja e numrit të moshuarve të vetmuar e pa përkujdesje në Pejë

Në parkun e vogël të qytetit, të rrallë janë personat në moshë që dalin të kalojnë ndonjë çast me bashkëmoshatarët e tyre dhe të thyejnë monotoninë e vetmisë me ndonjë muhabet.

Edhe ata pak që dalin, shihen kryesisht të vetëm në ndonjë ulëse për pak kohë dhe ikin serish në shtëpi.

E ka mjaft të moshuar që nuk e kanë guximin më të dalin nga shtëpia shkaku i pandemisë e të takohen në park apo ndonjë lokal në qytet me shokë e shoqe të vjetra.

Njëra prej tyre është edhe mësimdhënësja e fizikës dhe kimisë në pension, Shefkinaze Ahmeti, e cila deri këtë pranverë nuk është ndier edhe aq e vetmuar, por pandemia e ka mbyllur në shtëpi dhe as shoqet më nuk i takon si më herët.

“Krejt kohën vetun. Kështu... jo lexoj, jo me telefon ndihem me shoqe... Nuk dal kurrkund. Rrallë ku dal. S’kem as ku me dal”, ka thënë Ahmeti.

74-vjeçarja, që ka të kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe Fakultetin e Fizikës, si e vetmja vajzë nuk është martuar kurrë për hatër të nënës.

“Jam kujdes për nënën s’mujta me lanë vetëm, ajo me thojke mos më le mos më le, tani në fund me trojke hajt shko diku. Ku me shku. Kemi jashtë boll por gjithkush e ka jetën e vet”, ka shtuar ajo.

Që atëherë arsimtarja Shefkinaze jeton vetëm në një shtëpi shumë të vjetër.

“Vetmia përballohet, e varfëria nuk përballohet... s’po di me pa dal me pastru jashtë e kisha pas jetën ma të mirë sesa që kam punu këtu. Kishe për këtë shtet kurrgjë prej këtij shtetit s’kemi dobi”, ka thënë ajo.

Ajo nuk është e moshuara e vetme në këtë komunë që ditët i kalon në vetmi dhe pa përkujdesje.

Të vetmit që kohë pas kohe ua hapin derën, edhe tash për festat e fundvitit, kanë qenë vullnetarët e Kryqit të Kuq të Pejës, të cilët i ndihmojnë me pako ushqimore e higjienike. Sipas tyre numri i të moshuarve të vetmuar sa vjen e rritet.

“Totali i tyre është afër 200, por ne deri tash i kemi ndihmuar 60. Disa janë për të dytën herë që i kemi ndihmuar, që e kanë gjendjen shuam të rëndë. Disa të tjerë janë për të parën herë. Ka edhe që kanë vdekë dhe i kemi zëvendësuar me këta tjerët. Kështu qe ne do të vazhdojmë me projektin e ndihmesës së tyre dhe do t’i vizitojmë prapë të gjithë pleqtë e vetmuar që janë në Komunën e Pejës”, ka thënë Agron Kelmendi, sekretar i Kryqit të Kuq në Pejë.

Në Komunën e Pejës nuk kanë ndonjë të dhënë për numrin e të moshuarve që jetojnë vetëm, përveç se disa, siç thotë drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, i ndihmojnë varësisht prej kërkesave që i kanë.