Arbëri

Konsensusi për pabarazi gjinore në lista zgjedhore

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Reforma zgjedhore, për të cilën pushteti dhe opozita mbërritën konsensus vjet, nuk ka adresuar edhe pabarazinë gjinore në listat e kandidatëve për deputetë ose këshilltarë komunalë. E prej gjashtë muajsh, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur nëse është kushtetuese ose jo norma që s’e eviton pabarazinë. Për pasojë, edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, pritet që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në listat e kandidatëve

Pabarazia gjinore pritet të manifestohet në listat zgjedhore të subjekteve politike edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Ka gjashtë muaj prej kur Avokati i Popullit ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për zgjedhjet, i cili duke mos garantuar përfaqësim të barabartë në lista, ndodhet në konflikt edhe me Ligjin për barazi gjinore. 

Njohës të procesit zgjedhor thonë se mungesa e verdiktit nga gjykata, pritet të mos e ndryshojë realitetin e përfaqësimit politik edhe në procesin elektoral, që sipas kalendarit zgjedhor, organizohet në fillim të vitit të ardhshëm. 

“Fatkeqësisht, puna e Gjykatës Kushtetuese në interpretimin kushtetues të ligjeve apo pjesëve të caktuara të tij është duke marrë kohë më shumë se që duhet. Duke qenë se edhe për rastin në fjalë është kërkuar interpretimi i vetëm një neni, përkatësisht një dispozite të vetme, është krejtësisht e paarsyeshme që të ketë një vonesë të tillë duke e ditur që jemi në fund të mandatit. Në rast se Gjykata Kushtetuese do të vonojë edhe më tutje ofrimin e një përgjigje në projektligjin në fjalë dhe përmbyllet puna e Kuvendit për këtë sesion, atëherë gjasat praktike që të ketë ndryshim të ligjit edhe nëse jepet një afat i tillë nga ana e Gjykata Kushtetuese, janë minimale”, ka thënë Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Cakolli ka theksuar se zgjedhjet e ardhshme mund të mbahen, duke u përballur me një paradoks.

“Do të mund të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që përcakton se duhet të ketë kuotë prej 50 për qind edhe në listat e kandidatëve dhe në anën tjetër të mbajmë zgjedhjet me një legjislacion i cili është në kuptimin formal i vjetruar për shkak se nuk përmbushë përcaktimin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim unë besoj që gjasat janë të mëdha që Gjykata të marrë vendim, por të përcaktoj që një ndryshim apo një kërkesë e tillë të vlejë në legjislaturën e ardhshme, por jo për mandatin aktual, duke qenë se ka raste të tilla kur gjykata ka vendosur që në sajë të parimit të sigurisë juridike të mos ketë interpretim, le të themi, apo vendim që vlen në mënyrë retroaktive për zbatimin e tij”, thotë ai.

Në Gjykatën Kushtetuese nuk dhanë asnjë informacion në lidhje me fazën e trajtimit, në të cilën ndodhet kërkesa e Avokatit të Popullit për trajtimin e ligjit. 

“Kjo kërkesë është parashtruar në Gjykatë, më 16 janar 2024. Lënda është duke u shqyrtuar dhe sapo të merret vendimi për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen me shkrim, që ka dhënë Kushtetuesja.

Rezarta Delibashzade është drejtoreshë në organizatën “Demokraci për Zhvillim” dhe thotë se, po ekzistoi vullneti te subjektet politike, do të garantohej përfaqësimi i barabartë gjinor edhe pa marrë epilog në Kushtetuese, çështja e ligjit.

“Besoj që vetë subjektet mund ta bëjnë këtë ndryshim pa pritur që të kemi një vendim final të Gjykatës Kushtetuese, sepse në fund të ditës subjektet do të jenë të përfaqësuara në Kuvend të Kosovës me zgjedhje të drejtpërdrejtë nga qytetarët e Kosovës, andaj neve do të na japin mundësinë që të kemi një listë zgjedhore të barabartë ku ne si qytetarë të kemi mundësinë të zgjedhim më shumë gra dhe jo vetëm 30 për qind të tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Delibashzades, edhe nëse gjykata vendos shpejt, do të duhen së paku 6 muaj që të bëhet përshtatja edhe e direktivave të tjera. Megjithëkëtë, sipas saj, ndryshimi i ligjit “do të jetë i mirë edhe për politikat e ardhshme që do të hartohen në vend, edhe për politikën e vendit, por gjithashtu edhe për të gjitha ligjet tjera që do të vijnë në rend, që të ketë një harmonizim të përbashkët të gjitha ligjeve dhe të ketë një trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të këtij vendi”.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme ka përfunduar në Kushtetuese, meqë në ndryshimet e bëra në të nuk u përfshi edhe ai që garanton barazi përfaqësimi, por kërkon që në lista të jenë së paku 30 për qind e kandidatëve meshkuj dhe së paku 30 për qind femra.

Deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, thotë se subjektet politike përballen edhe me sfidën për përmbushjen e kuotës aktuale. 

“Në stadin në të cilin është Kosova, nuk e di nëse do të kemi mundësi që ta absorbojmë të tërin, por po e them: është iniciativë e mirë, është rast i mirë që përfaqësimi të rritet kudo dhe jo vetëm në listat zgjedhore. Është thirrje e imja që përfaqësimi të rritet jo vetëm aty ku kuotat gjinore e obligojnë institucionin, por përfaqësimi të rritet në secilin institucion”, ka thënë Deliu.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka bërë thirrje që gratë të jenë më insistuese, me qëllimin për ta siguruar përfaqësimin e barabartë me burrat.

“Unë kam një apel për gratë që të jenë më aktive, që të jenë më këmbëngulëse, që të jenë aktivisht nëpër procese politike në mënyrë që të bëhen pjesë aktive e jetës politike, edhe shumë më lehtë e kanë që edhe të zgjidhen, por edhe të përfaqësohen”, ka thënë ajo.

Ligji për zgjedhjet është miratuar qershorin e vjetëm me 79 vota të ligjvënësve të partisë që qeveris dhe të atyre në opozitë. Votimi pasoi një punë të përbashkët të subjekteve politike, të bërë në kuadër të asaj që u njoh si “reformë zgjedhore”. Kundër ligjit menjëherë dolën tetë organizata të shoqërisë civile.