Arbëri

Konkursi për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, drejt dështimit

Për të dytën herë brenda disa muajsh pritet të dështojë konkursi për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Konkursi është mbyllur e në te kanë aplikuar vetëm dy kandidatë. Ligjërisht duhet të jenë së paku 3 kandidatë që plotësojnë kushtet, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e zgjedhjes.

Konkursi për drejtor të Fondit të Sigurimit Shëndetësor sërish është drejt dështimit.

Të enjten ka qenë dita e fundit kur të interesuarit kanë mundur të aplikojnë për këtë pozitë. Sipas burimeve të KOHËS, kanë aplikuar vetëm dy kandidatë, gjë që e bën konkursin e pavlefshëm. Burimet kanë thënë që para anulimit ky institucion do të presë edhe disa ditë në rast që ndonjë aplikacion është nisur përmes postës, e nëse jo atëherë do të anulohet.

Kandidatët e vetëm që kanë aplikuar në këtë konkurs, janë po ata që kishin aplikuar edhe në fillimvit kur ai u anulua për shkak që, sipas Fondit të Sigurimit të Shëndetësor, nga 3 kandidatët që kishin aplikuar vetëm njëri plotësonte kushtet.

Konkursi për drejtor të këtij institucioni është shpallur, bazuar në Ligjin e Punës e jo siç ndodh me pozitat e larta, bazuar në Ligjin për Zyrtarë të Lartë Publikë.

Kjo ka bërë që kusht të jetë pjesëmarrja në garë e së paku 3 kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret, dhe e cila kërkohet me Udhëzim Administrativ 07-2017.

Konkursi i kaluar ishte hapur në fundin e vitit të kaluar, ndërsa është anuluar në mars.

Në mesin e shumë e kritereve ishte vendosur edhe një që ndalon kandidimin për menaxherët aktualë të shëndetësisë publike. Në konkurs thuhet që kjo është kërkesë specifike, por që në të kaluarën nuk është praktikuar për institucionet shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë nuk i ka të zgjedhur drejtorët edhe të tri institucioneve të tjera.

Ndërkaq Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka mbetur pa drejtor qysh nga viti i shkuar, kur Bordi e pati shkarkuar ish-drejtorin, Fatmir Plakiqi, pas serisë së hulumtimeve të KOHËS mbi keqmenaxhimet me këtë institucion.