Arbëri

Konjufca: Shumica s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë

Glauk Konjufca

Glauk Konjufca - kryetar i Kuvendit të Kosovës

Foto: Alban Bujari

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se shumicës parlamentare i mungon vullneti që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë. 

Në deklarimin për media, pas mbledhjes së Kryesisë, Konjufca ka thënë se deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë takim në mes të partive politike për të diskutuar për datën e mundshme të zgjedhjeve, edhe pse sipas tij të gjitha partitë pajtohen që vendi të shkojë në zgjedhje. 

“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje por nuk po arrin që kjo gjë të bëhet. Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë, sepse nuk ka një arsye që të japë dorëheqje Qeveria. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, është shprehur ai. 

Ai ka thënë se i pengon fakti që Kuvendi e ka humbur fuqinë që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. 

“Shumica mund të votojë ligje, por mua më pengon që Kuvendi i Republikës së Kosovës që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vet për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka folur edhe për mospërkrahjen e partisë në pushtet për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare. 

Sipas Konjufcës themelimi i tyre nuk duhet të pengohet dhe ka thënë se kjo mund të bëhet precedent i keq për praktikën parlamentare. 

“Unë si kryetar i Kuvendit jam që të mos bëhet pengimi i themelimit të komisioneve hetimore, cilat do qofshin ato, betejat duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen ato dhe të mos vendosen kushtëzime, pamundësim teknik të themelimit të komisioneve”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë për zgjatjen e mandatit të Komisonit hetimor për rezervat shtetërore. Konjufca ka thënë se “nëse do të kishte marrëveshje mund t’i shtohen edhe tre muaj mandat”.


Tahiri: Ditëve në vijim do ta inciojmë kërkesën për shpërbërje të Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të iniciojnë kërkesë për shpërbërjen e Kuvendit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të premten, Tahiri ka thënë se afati i fundit për shpërndarjen e legjislaturës së tetë është fundi i muajit prill, me ç’rast do të mundësohej që në qershor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

“Duhet se paku 61 deputetë që ta rrëzojmë qeverinë, këta numra nuk i kemi. Për të dalë më lehtë nga kjo situatë e rëndë, i kemi dhënë një mundësi më të lehtë partisë në pushtet, që ta shpërbëjë Kuvendin”, ka thënë ai. 

Tahiri shtoi se PDK-ja shumë shpejt do të nisë diskutimet edhe me partitë opozitare që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.

Ai ka folur edhe për komisionet hetimore të cilat po dështojnë të votohen nga pushteti. Tahiri ka thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për themelimin e tyre. 

“Nuk do të heqim dorë, do të kërkojmë sërish themelimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore. Po flasim për rreth 220 milionë euro që janë shpenzuar këto dy vjet pa llogaridhënie e pa transparencë. Nuk shoh që ka disponim nga LVV-ja për votimin e këtyre komisioneve”, ka thënë ai. 


Gashi: Zgjedhjet do të mbahen kur ka nevojë Kosova, jo kur ka qejf Albini

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka akuzuar partinë në pushtet për bllokim të hetimit parlamentar. 

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë fund një prej shtyllave të demokracisë. 

“Sot LVV-ja i dha fund një prej shtylla kryesore të demokracisë. Sot e tutje çdo shumicë që do të vijë në pushtet do ta ketë precedentin e ndërtuar nga Lëvizja Vetëvendosje të bllokimit të hetimit parlamentar dhe kjo është fatkeqe. Dëmi është dhe do të jetë afatgjatë”, ka thënë ai. 

Gashi ka shtuar se zgjedhjet do të mbahen më së largu pas 10 muajsh. 

“Zgjedhjet do të mbahen, maksimalisht pas 10 muajve, jo kur ka qejf Albini (v.j. Kurti), por kur ka nevojë Kosova. Do të votojmë pro nëse mbahet seanca për shkarkim”, ka shtuar ai.  


Tahiri: Kurti është dorëzuar, të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt 

 

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që vendit të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të përgjithshme. 

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se AAK-ja është në diskutim me grupet e tjera parlamentare për këtë çështje. 

“Jemi në diskutim me grupet parlamentare se si t’iu qasemi kësaj çështje. Aleanca e ka pozicionin më komod për këtë temë, ne jemi për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur, po ashtu mendojmë se kjo Qeveri duhet të shkarkohet ose të dorëheqet. Kurti është dorëzuar. Jemi në komunikim me shefat e grupeve parlamentare dhe do të dalim me qëndrim të përbashkët sa i përket kësaj teme”, është shprehur ai. 
 


Kusari-Lila: Nuk e kundërshtojmë kërkesën e opozitës për zgjedhje, kërkojmë qartësi

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se si parti nuk janë kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme, por kërkojnë qartësi. 

Sipas saj, partitë opozitare duhet ta bëjnë të ditur nëse duan të shkojnë në zgjedhje apo duan hetim të vazhdueshëm ndaj proceseve me të cilat përballet ekzekutivi.

“Duam të kemi qartësi në proces. Ka një muaj që intensivisht diskutohet për proces zgjedhor, për potencialin apo datën e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë ka nisma që janë çdo gjë pos nismave në përmbushje të agjendës legjislative. Po mungon një vullnet politik sadopak i vogël. Ne nuk po e kundërshtojmë kërkesën e tyre për të shkuar në zgjedhje, por kërkojmë qartësi, a është më e rëndësishme shkuarja në zgjedhje tani apo hetimi i vazhdueshëm ndaj proceseve me të cilat është ballafaquar ekzekutivi”, ka thënë ajo.