Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë bërë të ditur se tashmë kanë përcaktuar emrat për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por ata do t’u bëhen të ditur udhëheqësve të LDK-së në takimin e radhës, i cili pritet të mbahet këtë javë. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur besimin se nga këto propozime mund të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Edhe në LDK kanë thënë se shumë shpejt do të dalin me emra konkretë për presidentin konsensual
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se tashmë i kanë përcaktuar emrat që mund t’i propozojnë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Megjithatë, emrat nuk do të bëhen publikë para takimit me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës që pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas Konjufcës, në këtë takim pritet të diskutohen pikërisht emrat konkretë për presidentin, ndërsa ai ka shprehur besimin se nga këto propozime mund të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
“E prandaj konsideroj që ekziston një probabilitet goxha i madh që të kemi president dhe një marrëveshje për presidentin. Meqë se kur do që të takohen kryeministri Kurti me kryetarin Abdixhiku, mendoj që kjo do të jetë forma e diskutimit edhe forma e negociimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave konkretë, unë besoj që njëri prej tyre do të jetë edhe presidenti apo presidentja e ardhshme e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Edhe
Negociata të vështira për një emër
Ai ka bërë të ditur se emrat tashmë janë përcaktuar nga partia që i takon, por ka thënë se publikimi i tyre para takimit do ta dëmtonte procesin e negociimit.
“Lëvizja Vetëvendosje, unë vetëm po them që është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj do ta humbte kuptimin procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati, sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje, kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave”, ka theksuar Konjufca.
KOHA ka dërguar pyetje në LDK nëse kjo parti tashmë i ka emrat e saj për president dhe kur pritet të mbahet takimi i radhës, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.
E të martën, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova, ka deklaruar se së shpejti do të ketë një emër të një presidenti konsensual. Rugova ka thënë se një gjë e tillë shpreson që të ndodhë së shpejti.
Ndërkohë, gjatë ditës është raportuar se ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, në një letër drejtuar kryetarëve të partive parlamentare, ka propozuar Faton Bislimin për president të Kosovës.
Për këtë çështje, as Faton Bislimi nuk ka dashur të flasë.
Edhe
LDK-ja së shpejti me emër për president
“Me kënaqësinë më të madhe, por duhet t’u bashkëngjitëm Joseph-it dhe Shirley, herën tjetër”, është shprehur ai.
E në PDK dhe Aleancë kanë bërë të ditur se qëndrimi i tyre për çështjen e presidentit nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi jonë që me qenë parti opozitare nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, sepse nuk është qëndrim që mbahet një ditë dhe ndryshohet. Është vendim i diskutuar në të gjitha strukturat e PDK-së dhe të cilin do ta mbajmë deri në fund”, ka thënë Gruda.
Ndërsa, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka theksuar se për zgjedhje të presidentit duhet marrëveshje politike, e i njëjti thotë se partia e tij nuk është e interesuar për marrëveshje politike partiake.
“Ne jemi të interesuar për çështjen përmbajtësore, që janë gjashtë kërkesat tona për mendime strategjike”, ka deklaruar Ramadani.
Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.
Edhe
Kurti e Abidxhiku ende pa propozim për president
Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramaji, u përmendën, por të dy mohuan përfshirjen në proces.
Si kandidat i mundshëm është përmendur edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
E javën e kaluar, ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për president.