Arbëri

Konjufca: Për keqardhje gatishmëria e BE-së për bashkëpunim me Qeverinë e re të Serbisë

Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar për keqardhje gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të punuar me Qeverinë e re të Serbisë, që për zëvendëskryeministër ka një të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidhjet me Rusinë.

“Për keqardhje të dëgjosh që Bashkimi Evropian mezi po pret të punojë me Qeverinë e Serbisë, përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, që është i sanksionuar për lidhjet e ngushta me Rusinë, ndërsa s’është e gatshme t’i heqë masat e padrejta ndaj Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Twitter mbrëmjen e së shtunës.

Konjufca i është përgjigjur me këtë reagim, kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, që një ditë më parë u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me Qeverinë e re të Serbisë. Borrell theksoi të premten se mezi pret të bashkëpunojë me këtë qeveri, ndonëse në nisje të mandatit si kryeministër, Milosh Vuçeviq përdori diskurs të fortë kundër Kosovës dhe tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga Rusia.

Pjesë së Qeverisë së Serbisë është Vulini, i cili është emëruar zëvendëskryeministër, e edhe Nenad Popoviqi, ministër pa portofol.

Vulini është sanksionuar nga SHBA-ja vitin e shkuar për përfshirje në marrëveshje korruptuese që shtynin përpara agjendat politike në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe që lehtësonin aktivitete të Rusisë në Serbi dhe rajon. Në kohën kur u sanksionua ishte në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë. Ndërkaq është konfirmuar se në sulmin terrorist në Banjskë ka marrë pjesë edhe një truprojë e tij.

Po ashtu ai njihet për marrëdhëniet e tij të afërta me Rusinë. Së fundi drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali Aleksandër Bortnikov, ia dha një çmim të lartë. Vulin u dekorua me “urdhrin për profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontribut në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse”.

Po ashtu, Popoviqi është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për çështje që lidhen me ndikimin e Rusisë në rajon dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.