Arbëri

Konjufca: Para ndërkombëtarëve qëndrimet mes liderëve janë unike

Glauk Konjufca

Foto: Driton Paçarada

“Ne kur dalim para bashkësisë ndërkombëtare gjithmonë jemi të një mendje dhe jemi të një goje. Kështu ka qenë deri tash në çdo prezantim në interes të Kosovës që e kemi pasur. Ajo çka është e rëndësishme për Kosovën është që të mos përsëriten rastet si ai që e kishim para 5 vjetësh, kur kryeministri dilte kundër ndryshimit territorial, kishim personalitete të tjera të cilat ishin për ndryshimin territorial edhe pastaj nga ndërkombëtarët komentohej kjo dhe çuditeshin”, ka thënë Konjufca

Dallimet në qëndrime për çështje të ndryshme, liderët e shtetit i lënë pas për interes të Kosovës e në paraqitjet e tyre para ndërkombëtarëve, ka thënë të enjten kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Marrëdhëniet mes tij, presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti, Konjufca i ka vlerësuar të mira dhe ka theksuar se është e rëndësishme që situata nuk është sikurse vite më parë, duke marrë për shembull qëndrimet e liderëve për ndryshim të territorit. 

“Ne kur dalim para bashkësisë ndërkombëtare gjithmonë jemi të një mendje dhe jemi të një goje. Kështu ka qenë deri tash në çdo prezantim në interes të Kosovës që e kemi pasur. Ajo çka është e rëndësishme për Kosovën është që të mos përsëriten rastet si ai që e kishim para 5 vjetësh, kur kryeministri dilte kundër ndryshimit territorial, kishim personalitete të tjera të cilat ishin për ndryshimin territorial edhe pastaj nga ndërkombëtarët komentohej kjo dhe çuditeshin se si institucionet qendrore marrin orientime të ndryshme sa u përket interesave vitale të shtetit tonë”, ka thënë Konjufca në një deklarim për media, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

I pyetur për arrestimin e dy personave të dyshuar për spiunazh, Konjufca është shprehur i bindur se ka edhe raste të tjera. 

Si urgjencë e ka konsideruar miratimin e ligjit për shpalosjen e veprimeve të personave me funksione në institucionet politike e publike në kohën e Slobodan Milosheviqit, që njihet si ligji i lustrimit. 

“Qëllimi i Serbisë është gjithmonë destabilizimi i Kosovës dhe krijimi edhe i agjentëve të brendshëm në Kosovë, brenda Kosovës edhe nga radhët e shqiptarëve që me vazhdu sfidimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e strukturave institucionale, kështu që kjo e bën ligjin në fjalë edhe më urgjent dhe besoj që edhe shumë raste të hetohen dhe të zbulohen edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Konjufca ka kritikuar institucionet e drejtësisë që edhe nëntë muaj nga rasti i Banjskës nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj organizatorit Milan Radoiçiq.

“Unë nuk kam fjalë për ta përshkru për një terrorist që e ka pranu vetë veprën, e kanë kap kamerat, është e incizuar, Qeveria ia ka sekuestru edhe pronat dhe ai është i ikur, i arratisur në Serbi, jeton i lirë në Serbi, e drejtësia e Kosovës nuk ka vepruar dhe asnjë aktakuzë ma elementare nuk e ka ngritë. Vepra e tij është shumë e rëndë. Ai e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit ka paralajmëruar edhe plotësimin e Rezolutës për Srebrenicën me atë që është miratuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. 

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurtit dhe e ka fajësuar atë për masat ndëshkuese të BE-së. 

“Tanimë hyjmë në vitin e dytë që kur Kosova është në sanksione ndërkombëtare për shkak të gabimeve strategjike dhe politike të kryeministrit Kurti. Kosova vazhdon të humbë dhe vazhdon të jetë një qeverisje jashtëzakonisht e keqe, si në aspektin e ekonomisë së vendit, si në aspektin e perspektivës për qytetarët, si në aspektin e shëndetësisë dhe arsimit, por, mbi të gjitha, në aspektin e raporteve ndërkombëtare është momentum më i keq në historinë e re të Kosovës”, ka thënë ai.

Kryesia e Kuvendit, të enjten, ka vendosur që javën tjetër të mbahen dy seanca me rastin e shënimit të përvjetorit të 25-të të çlirimit të Kosovës.

Njëra do të mbahet të hënën, më 10 qershor. Në Kuvend, fjalim do të mbajë ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair. 

Ndërkaq, një seancë tjetër për shënimin e përvjetorit të çlirimit do të mbahet më 12 qershor.