Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, të hënën Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shënimi i kësaj dite është i rëndësishëm për ta theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse.
Ai po ashtu ka thënë se është e rëndësishme njohja e progresit demokratik të deritanishëm, që sipas tij, Kosova e ka shënuar duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia.
“Kjo ditë është e caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe ne si shtet synojmë që të jemi pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Bëjmë mirë që të jemi pjesë e këtyre standardeve, duke vepruar kështu tregojmë pjekurinë tonë shtetërore, pjekuri demokratike. Në një kohë ku në mbarë botë po merr hapësirë dezinformimi, temë globale është caktuar inteligjenca artificiale si mjet për qeverisje të mirë. Kjo është thirrje për vëmendje për institucionet tona që ta vënë në funksion inteligjencën artificiale. Demokracia mirëmbahet nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve. Pa transparencë nuk ka demokraci. Asnjë sukses i Kuvendit nuk mund të jetë i plotë pa partneritetin me qytetarë, organizata të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare e mediat”, ka thënë Konjufca, raportoi “Ekonomia Online”.
Drejtoresha e Institutit Nacional Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, ka thënë se për 25-vjetorin e këtij instituti të angazhuar në Kosovë, janë zotuar që të krijojnë një sistem qeverisës që është llogaridhënës.
“Inteligjenca artificiale ka nisur që të transformojë botën tonë, AI-ja ofron mundësi të mëdha për progres. Kjo teknologji paraqet edhe sfida, në Kosovë e kemi parë që mjete digjitale dhe AI-ja mund të prek gratë. Kosova ka mundësi për standarde të larta që të shfrytëzohen në të mirë të shoqërisë, mund të ndërtojmë institucione më të fuqishme”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëresha Kryeziu, ka thënë se falë bashkëpunimit me organizata e shoqërisë civile e organizatat ndërkombëtare, është rritur demokracia, llogaridhënia dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi është një nga institucionet më demokratike. Kuvendi sot është më i hapur edhe më i qasshëm se asnjë herë më parë, për këtë ka më shumë llogaridhënie dhe transparencë”, ka thënë ajo.
E Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se në këtë ditë të demokracisë duhet që të flitet për cenimet që, sipas saj, qeveria aktuale i ka bërë demokracisë.
“Është një ditë e veçantë sot e para për të kujtuar prekjet shumë vjeçare të Kosovës për të konsoliduar demokracinë. Është bërë një punë e madhe. Sot dua të flasim edhe për gjendje e rëndë që ju është bërë vlerave demokratike të Kosovës. Kemi pasur një qeveri jodemokratike. Kemi një kryeministër që në sesionin pranveror 36 herë nuk ju është përgjigjur kërkesave dhe pyetjeve parlamentare të deputetëve. Duhet të përmendim edhe cenimin e medias, organizatat ndërkombëtare kanë vënë në theks cenimin e medias të lirë. Qeveria duhet që të ketë qasje tjetër dhe ministrat të jenë të qasshëm”, u shpreh ajo.
Në kuadër të kësaj ditë janë paraparë një sërë aktivitetesh që do të mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
