Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë pjesë thelbësore e marrëveshjes.
“Ne besojmë se vetëm njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë thelbësore e marrëveshjes finale si parakusht që të dyja vendet të përparojnë”, ka theksuar Konjufca në takimin e Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë.
Ai ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë është komponentë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal.
Konjufca ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ishte dhe vazhdon të jetë një moment historik.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit është imperativ. Ne nuk kërkojmë procedura të pandershme nga BE ne vetëm po kërkojmë procedura strikte dhe të bazuara në drejtësi dhe në të drejtën tonë. Ju bëjmë thirrje vendeve anëtare që t’i japin përparësi sidomos zgjerimit dhe po ashtu t’u ofrojnë edhe mundësitë e ofruara për të gjithë rajonin tonë”, është shprehur Konujufca.
Ai ka thënë se e vlerësojmë rolin e BE-së për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Ndërkohë që sa i përket progresit, sfidave e reformave, ai ka thënë se ka ende punë për tu bërë.
“Një ndër sfidat e mëdha mbetet korrupsioni sidomos për sistemin tonë prokurorial dhe gjyqësor”, është shprehur Konjufca.