Arbëri

Konfuzion në shkolla, disa e vazhdojnë mësimin e shumica e nisin pushimin pranveror

Asnjë institucion parauniversitar në komunën e Prizrenit nuk ka zhvilluar procesin mësimor të hënën.

Mësimdhënësit dhe nxënësit kanë filluar pushimin pranveror, ashtu siç ishte paralajmëruar të premten edhe nga SBASHK-u.

Ndonëse të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren kanë marrë njoftim se orët e humbura gjatë janarit do të zëvendësohen gjatë pushimit pranveror, as mësimdhënësit e as nxënësit nuk e kanë respektuar këtë vendim, raporton KTV.

Por, mësimdhënësit thonë se mosdalja në punë dhe fillimi i pushimit pranveror, u garantohet me ligj.

Drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku”, Jeronim Susuri, ka thënë se mësimdhënësit nuk kanë shprehur vullnet për të dalë në punë të hënën.

Por, vendimin e MASHT-it për kompensimin e orëve të humbura gjatë pushimit pranveror, e kanë përfillur disa shkolla të komunës së Obiliqit.

Agim Salihu, drejtor i Arsimit në Komunën e Obiliqit ka thënë se nuk dihet nëse në Obiliq do të vazhdojë procesi mësimor edhe ditëve në vijim. Mësimi është mbajtur edhe në disa shkolla të komunës së Gjakovës.