Banjska

Konfiskohet pasuria multimilionëshe e Radoiçiqit

Milan Radoiçiq

Milan Radoiçiq

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se prijësit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, i është konfiskuar pasuria multimilionëshe. Në listën e publikuar, figurojnë më shumë se 30 vetura, ekskavator, autoblinda të modifikuar, motorë me katër rrotë, një vilë, banesë, anije e një lokal.

“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Sipas saj, Radoiçiq është bërë milioner nëpërmjet krimit, terrorit dhe varfërimit.

“Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shtuar ajo.

Policia e Kosovës e pati konfirmuar konfiskimin e një restoranti të enjten në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, ka konfirmuar se restoranti është i Radoiçiqit.

“Po, konfiskimi është duke vazhduar nga zyrtarët policorë”, ka thënë shkurtimisht ai për KOHËN.

Lista Serbe ka thënë se konfiskimi i pasurisë se Radoiçiqit “u bë në bazë të urdhrit të Albin Kurtit me qëllim të përshkallëzimit shtesë”.

Sipas Listës Serbe, ky ishte mesazh se serbët s’kanë vend këtu.

“Aty ku djem të mirë u rritën dhe shkonin në shkollë me bashkëmoshatarët e tyre, planifikuan të ardhmen dhe kishin ëndrra, tash forcat speciale të Kurtit po hyjnë dhe po i marrin në shtëpi. Ky është persekutim klasik me motive etnike ndaj të miturve vetëm pse janë fëmijë të serbëve që s’pajtohen me padrejtësinë e Kurtit”, thuhet në reagimin e partisë.

Partia serbe në Kosovë ka shtuar se Kurti po synon edhe dëbimin e fëmijëve.

“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb pyesim veten nëse presioni për emigrimin e serbëve dhe fëmijëve serbë është bërë gjë normale dhe vlerë evropiane e shekullit XI? A është faji i secilit prej nesh sepse ai është serb, dhe kjo është një arsye mjaft e mjaftueshme për shtypje dhe dëbim nga ky rajon? A janë të vetëdijshëm përfaqësuesit ndërkombëtarë se duke heshtur janë bërë bashkëfajtorë të dukshëm në dëbimin e serbëve?”, thuhet në reagim.