Arbëri

Konfiskohen 40 thika te nxënësit e shkollave të mesme në Ferizaj

Policia e Kosovës ka bastisur dhe kontrolluar disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse në Ferizaj, në kuadër të aksionit “Siguria në shkolla 2022”, ku si prova materiale janë konfiskuar pesë armë zjarri (pistoleta), dy armë të gjata gjysmautomatike, një sasi municioni, 40 thika të nxënësve të shkollave të mesme, 10 boksa metali te nxënësit e shkollave të mesme, 6 mulli për bluarje të marihuanës, katër shufra metali dhe një elektro shok.

Ndërsa janë ndaluar dhe shoqëruar në polici 40 persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt.

“Gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe 20 persona të tjerë nën dyshimin për shitje narkotikësh dhe ndaj tyre janë iniciuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Policisë të premten.

Aksioni i policisë do të vazhdojë në shtator, kur nis procesi mësimor, me synim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.