Arbëri

Konfiskimi i pasurisë vetëm për zyrtarët dhe personat e lidhur me ta

Foto: Koha / ilustrim

Është finalizuar Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Bazuar në draftin që e ka siguruar KOHA, ligji do të zbatohet vetëm ndaj personave zyrtarë, personave të ekspozuar politikisht, anëtarëve të tyre të familjes dhe njerëzve për të cilët dyshohet se personi zyrtar ka bartur pasurinë në emër të tyre. Pasuria që do të vihet nën llupë është ajo e fituar pesë vjet pas luftës e tutje

Drafti i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme tashmë është finalizuar. Me të përcaktohen statusi dhe përgjegjësia e një agjencie përgjegjëse për verifikimin e pasurisë së këtillë, por edhe parashihen mënyra dhe procedura e verifikimit të sekuestrimit dhe konfiskimit.

Nëse miratohet në Kuvend versioni i këtij drafti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, atëherë për një kategori qytetarësh do të vihet nën llupë pasuria e fituar pesë vjet pas luftës.

“Ky ligj zbatohet për pasurinë e pajustifikueshme të të gjithë personave zyrtarë, personave të ekspozuar politikisht, anëtarëve të tyre të familjes dhe personave për të cilët dyshohet se personi zyrtar ka bartur pasurinë në emër të tyre, përfshirë periudhën nga viti 2005 e tutje”, thuhet në Projektligj.

Si e pajustifikueshme definohet pasuria që është në mospërputhje me të hyrat ose edhe ajo me prejardhje legjitime, por për të cilën personi që e ka në pronësi dështon ta vërtetojë.

Ministria e Drejtësisë ka refuzuar t’ia ofrojë një kopje të Projektligjit KOHËS, ndërkaq atë e ka përcjellë tek anëtarët e grupit të gjerë punues, me vërejtjen për të mos e shpërndarë.

Të enjten ka nisur një punëtori dyditore për ta diskutuar përmbajtjen e draftit fillestar të Projektligjit, në të cilën përveç zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, atyre ndërkombëtare, si dhe ekspertë të pavarur.

Takimi ka qenë i mbyllur dhe Ministria e Drejtësisë i ka bërë të njohura vetëm pikëpamjet që për Projektligjin i ka zëvendësministri Blerim Sallahu.

“Ky projektligj, i cili do të përmbajë dispozita materiale dhe procedurale, ka për funksion kryesor kthimin e pasurisë së marrë në mënyrë të kundërligjshme”, është cituar në komunikatë Sallahu. “Pasuria e cila u është marrë qytetarëve pa bazë ligjore, do t'u kthehet qytetarëve si pronarë kushtetues dhe ligjorë të kësaj pasurie, në mënyrë që të mbrohet dhe realizohet interesi i përgjithshëm publik”.

Nëpërmjet miratimit të Projektligjit është paraparë themelimi i një agjencie, e cila definohet si organ i pavarur dhe i specializuar për zbatimin e politikave shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikuar.

Agjencia do ta ketë mundësinë që, pranë Gjykatës Themelore, të paraqesë padi për konfiskimin e një pasurie, ndërsa vendimi për konfiskimin do të merret nga gjykata.

Në projektligj është definuar se çka do të nënkuptojë pasuria. Mbështetur në të, pasuria është definuar “çdo fond apo pasuri, përfshirë, por jo të kufizuara në pasuri financiare, burime ekonomike, prona të çfarëdo lloji, të prekshme apo të paprekshme, të luajtshme apo të paluajtshme, dhe dokumente ligjore apo instrumente të çfarëdo forme, përfshirë ato elektronike apo digjitale, që dëshmojnë tituj pronësie apo interes në fonde të tilla apo pasuri tjera, përfshirë, por jo të kufizuara në kreditë bankare, çeqe udhëtarësh, çeqe bankare, urdhra për pagesë paraje, aksione, letra me vlerë, bono, drafte, apo letra krediti, dhe çfarëdo interesi, dividenta apo të ardhura tjera në to, apo vlera që rrjedhin, apo të gjeneruara nga fonde të tilla apo pasuri tjera, të përvetësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë përmes veprës penale dhe çfarëdo të ardhurash në të cilat është shndërruar apo përzier dhe fondet apo pronat terroriste”.