Konfederata Industrialistëve Shqiptarë (Konfindustria) ka kërkuar që të përshpejtohet si një domosdoshmëri krijimi i Tregut të Përbashkët të Energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse nuk ndërmerren masa parandaluese, Konfindustria vlerëson se pasojat e krizës globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues, industritë dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës me falimentime masive, papunësi dhe deri rrezikim të rendit kushtetues.
“Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë natyrore dhe të veçantive të sistemeve energjetike, që me vullnet politik jo vetëm të përballojnë me sukses krizën energjetike botërore, por edhe të kenë përfitime të mëdha strategjike. Shqipëria prodhon pothuaj 100% të energjisë nga uji me kapacitete të instaluara, që tejkalojnë afër 30 % të nevojave të saj. Kosova ka rezerva linjiti me rëndësi botërore. Sa më sipër i bën shtetet shqiptare pothuajse të pavarura nga ndryshimet e tregjeve të energjisë nga gazi i Rusisë. Pa përmendur potencialet mjaft të mëdha dhe krejt të pashfrytëzuara të energjisë diellore, erës, etj.”, theksohet në kërkesën e Konfindustrisë.
Konfederata Industrialistëve Shqiptarë, duke vlerësuar pasojat e jashtëzakonshme dhe afatgjata të krizës globale të energjisë mbi ekonominë kombëtare, kërkon gjithashtu nga Qeveria e Shqipërisë të themelojë Fondin Emergjent dhe Strategjinë e Menaxhimit të Krizës Energjetike.
Në shkurt të vitit 2018, me ndryshimet e Ligjit të Sektorit të Energjisë Elektrike, është vendosur baza ligjore për krijimin e Bursës së Energjisë Elektrike në Shqipëri dhe krijimin e mundësive për krijimin e tregut të përbashkët me Kosovën, rajonin dhe me gjerë.
Në sektorin e transmetimit është arritur të përfundojë linja e interkonjeksionit elektroenergjetik 400 kV të Shqipërisë me Kosovën, duke vendosur edhe themelet e bashkëpunimit dhe krijimit të një burse të përbashkët për sektorin elektroenergjetik.
Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar më 21 tetor të vitit të kaluar marrëveshjen për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike. Aktualisht kjo marrëveshje është e para e këtij lloji midis vendeve të rajonit dhe, sipas nënshkruesve të saj, do të shërbejë si bazë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në rajon. Qeveria e Shqipërisë ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Energjisë “Shqipëria 2030”.
Strategjia përcakton edhe skenarin e integrimit elektroenergjetik Shqipëri–Kosovë. Rezultatet e skenarit të integrimit të tregut të energjisë Shqipëri–Kosovë tregojnë se ekziston një potencial i rëndësishëm për një shfrytëzim më të mirë të kapacitetit transmetues ndërkufitar, rritjen e mirëqenies përmes optimizimit të tregut të operimit të burimeve të energjisë termike në Kosovë dhe burimeve hidrike në Shqipëri (specifikisht, kaskada e lumit Drin), si edhe duke shkëmbyer kërkesat e rezervës balancuese.