Arbëri

Konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë mbledh guvernatorë të disa vendeve

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli po merr pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science) me temën: Politika monetare, integrimi ekonomik dhe “Normaliteti i ri”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendësguvernatori Havolli prezantoi zhvillimet aktuale në sistemin financiar të Kosovës në përgjithësi dhe në veçanti zhvillimet në sistemin bankar, të cilat po karakterizohen me qëndrueshmëri të lartë, rritje të financimit për ekonominë e vendit dhe përmirësim të kushteve për qasje në financa.

Me këtë rast, ai foli për rrugën që ka ndjekur BQK-ja për të ndërtuar një sistem financiar bashkëkohor, stabil dhe me rritje të vazhdueshme, si dhe mbi angazhimet shumëdimensionale që po bën për ta mbështetur zhvillimin e mëtejmë dhe të qëndrueshëm të këtij sektori, si dhe rritjen e mëtejme të rolit të tij në funksion të mbështetjes së zhvillimit dhe stabilitetit të ekonomisë së vendit.

Zëvendësguvernatori Havolli theksoi nevojën për rritje të mëtutjeshme të bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve rregullative financiare ndërkombëtare si mënyrë për avancimin e përbashkët të kapaciteteve të nevojshme për të përballuar në mënyrë sa më efektive sfidat rreth ruajtjes së stabilitetit financiar.

Kjo konferencë vjetore është organizuar në katër sesione.

Në këtë konferencë po marrin pjesë, përv eç atyre nga Shqipëria e Kosova, edhe guvernatorët e bankave të Islandës, të Kroacisë, dhe të Bosnje-Hercegovinës. Po ashtu po merr pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i ekonomistëve të shquar nga institutucione të ndryshme akademike dhe financiare ndërkombëtare.