Arbëri

Konferenca për Siguri: Autoritarizmi përballë demokracisë, pasojat po i vuan Ukraina

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj për sigurinë globale të enjten kanë dominuar hapjen e Konferencës për Siguri në Beograd, të organizuar nga Qendra beogradase për Politika të Sigurisë.

Përderisa organizatorët kanë vënë në pah nevojën për t’iu kundërvënë autoritarizmit, laureatët e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2022 kanë vënë në pah dështimin e sistemit të paqes dhe sigurisë. Ndërkaq në panelin kushtuar luftës në Ukrainë, analistët kanë vlerësuar se fitorja do t’i takojë ukrainasve, pavarësisht çmimit të lartë që do të paguajnë si me viktima ashtu edhe me shkatërrime tjera.

Igor Bandoviq nga Qendra beogradase për Politika të Sigurisë ka theksuar se mbajtja e kësaj konference ka rëndësi për Serbinë, Ballkanin dhe Evropën dhe se sivjet trajton temën: “Autoritarizmi si shkak i luftës dhe detyra për të rezistuar”.

“Autoritarizmi kurrë nuk mund të jetë i mirë. Në fazën finale të tij autoritarizmi çon kah lufta, vuajtja, dhe viktima të pafajshme. Thjeshtë është çështje kohe, dhe kur kjo bëhet evidente atëherë është shumë vonë”.

Laureatët e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2022 përmes paraqitjes online kanë theksuar nevojën për aktivizmin e shoqërisë civile kundër autoritarizmit dhe për demokracinë.

Oleksandra Matviychuk nga Qendra për liritë civile ka theksuar se i tërë sistemi i paqes dhe sigurisë ka dështuar me muaj apo me vjet, për t’i ndaluar masakrat e Rusisë, pasi zërat e shoqërisë civile nuk janë dëgjuar më parë.

“Kjo nuk është luftë ndërmjet dy shteteve, Rusisë dhe Ukrainës. Kjo është luftë e dy sistemeve, autoritarizmit dhe demokracisë. Nëse nuk e ndalojmë Putinin në Ukrainë, ai do të shkojë tutje. Ukraina ka nevojë për çdo lloj të mbështetjes nga bota e civilizuar, sepse bota jonë është e ndërlidhur dhe vetëm shpërndarja e lirisë e bën botën tonë më të sigurtë”, tha Matviychuk.

Uladzimir Vialchkin nga Qendra për të drejtat e njeriut në Viasna të Bjellorusisë ka vënë në pah rëndësinë e angazhimit të shoqërisë civile për vlerat demokratike, derisa Anastasia Garina nga Memorial në Rusi ka pohuar se miliona njerëz në Rusi ende besojnë në propagandën e autoriteteve.

"Kjo ka të bëj me besimin se nuk na duhen të drejtat e njeriut, por një shtet i fortë. Nuk e di arsyen, por shumë njerëz besojnë se duhet ta kenë shtetin e fortë...Shumë njerëz besojnë se kjo është në rregull, dhe ky është problem vetëm për Rusinë dhe shoqërinë ruse, por është problem i madh për tërë botën”, tha Garina.

Ndërsa në panelin kushtuar luftës në Ukrainë përkatësisht vështrimit nga Kievi, analistja Mariia Zolkina ka shprehur qëndrimin se 90 për qind të ukrainasve besojnë se do ta fitojnë këtë luftë, dhe se veprimet e Rusisë konsiderohen si gjenocid si në aspektin legal ashtu edhe atë praktik.

"Sa i përket çmimit të fitores, nga ana e Ukrainës e kuptojmë se çmimi do të jetë i lartë, shkaku i shkatërrimeve dhe humbjes së jetës së njerëzve, por ne nuk shohim mënyrë tjetër për ta fituar këtë luftë”, tha Zolkina.

Gjatë konferencës dy ditore do të diskutohen sfidat aktuale me të cilat përballet Evropa e bota, si lufta në Ukrainë, e ardhmja e BE-së, angazhimi për demokraci, siguria kibernetike, varësia energjetike, lufta kundër krimit të organizuar dhe dezinformimit. Në këtë konferencë në panele të ndara do të diskutojnë edhe publicisti Veton Surroi si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

 Nga Beogradi Fisnik Minci

{gallery}