Arbëri

Konferenca e Sigurisë në Munih përballi Thaçin me Vuçiqin sy-më-sy

Një tjetër përballje të nxehtë kanë pasur në Gjermani presidentët Hashim Thaçi e homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq.

Thaçi këtë herë në shqip e Vuçiq në anglisht, ndërmjet kishin komisionarin Johannes Hahn, në panelin që moderohej nga ambasadori Wolfgang Ischinger, drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, raporton KTV.

Vuçiq fillimisht u ankua që Kosova nuk ka përmbushur obligimin e saj për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të kaluar te taksa.

“Tani janë saktësisht 102 ditë, qëkur i kanë vendosur taksat për Serbinë. Dhe pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk u tërhoqën. Ata janë kokëfortë dhe thonë: do ta heqim kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pastaj çka ndodhi më vonë? Serbia nuk reagoi, nuk vendosëm masa reciproke. Nuk bëmë asgjë. Por, me çka përballemi? Me një platformë të re të votuar nga qeveria e Kosovës, që është platformë kundër dialogut. Ai dokument thotë se Kosova duhet të ruajë integritetin territorial, i cili është i pacenueshëm, i pandashëm dhe në të njëjtën kohë, Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe për më tepër, duhet të formojnë një tribunal për Serbinë dhe serbët që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe pastaj është pyetja ime? Pse jemi pjesë e dialogut?”, tha Vuçiqi.

Ai ka shtuar se nuk refuzojnë të arrijnë një marrëveshje kompromisi, por aktualisht janë shumë larg saj.

Në anën tjetër, Presidenti Thaçi, është shprehur për heqjen e taksës, por ka rikujtuar se çka ka bërë që të vendoset ajo, duke i përmendur mes tjerash pengesat serbe për anëtarësim në Interpol e Unesco, duke dalë te viktimat e luftës, për të cilat tha se nuk janë dënuar autorët

Presidenti Thaçi ka kërkuar që dialogu të vazhdojë pa kushte.

“E përmend në shumë forume Gjykatën Speciale. Më lejoni të them se Kosova ka marrë përgjegjësitë për këtë çështje bashkë me SHBA-në dhe BE-në. Por, sot të gjithë pyesin: kush është dënuar për 13 mijë civilë të vrarë nga serbët në Kosovë? Kush është dënuar për 400 masakrat nga shteti serb në Kosovë? Më shumë se 20 mijë viktima të dhunës seksuale nga aparati shtetëror? Kjo nuk është bërë nga shteti serb, nuk është bërë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Thaçi.

Kjo ka nervozuar Vuçiqin, që këto shifra i ka quajtur të ekzagjeruara, duke shtuar se mund të flasë me javë për ato që i ka quajtur mizori që i kanë përjetuar serbët në Kosovë.

Si Thaçi, edhe Vuçiqi ka pyetur për shkëmbimin e territoreve, por vetëm ky i fundit ka folur për të.

“Kur flasim për shkëmbim territoresh, e urrejmë këtë term. Sepse do të nënkuptonte se dy shtete sovrane po këmbejnë diçka, por për këtë e përdorim termin demarkim për një arsye të thjeshtë. Kur ju pyes juve i dashur z.Ischinger? Për cilët kufij po flasim? Ato që njihen nga Gjermania apo Kina? Nga SHBA-ja apo Rusia? Beogradi apo Prishtina? Plotësisht kufij të ndryshëm dhe për këtë arsye duhet të negociojmë për gjithçka, për të gjitha çështjet”, u shpreh Vuçiqi.

Derisa komisionari Johanes Hahn, ka bërë thirrje që të shfrytëzohet momenti dhe të arrihet një marrëveshje kompromisi, që do t’i kontribuonte edhe stabilitetit të vendeve të tjera në rajon.

Para ballafaqimit, Thaçi-Vuçiq, në sallën e njëjtë ishin kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe ai i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, që folën për marrëveshjen historike ndërmjet tyre.