Arbëri

Komuniteti turk në Prizren nis fushatë për mbledhjen e ndihmave humanitare

Përfaqësues politikë dhe aktivistë të shoqërisë civile nga radhët e komunitetit turk janë mobilizuar për të shprehur solidaritetin me qytetarët në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi.

Me iniciativë të Shoqatës së afaristëve “Esnaf” dhe të partisë politike turke, KDTP, si dhe me pjesëmarrjen e shoqatave të tjera të komunitetit turk në Prizren, është mbajtur një takim me qëllim të ofrimit të përkrahjes.

Fikrim Damka, ministër i Zhvillimit Rajonal dhe kryetarii KDTP-së, bëri të ditur se bazuar në bisedimet e zhvilluara me autoritetet në Turqi, më së tepërmi nevojitet mbështetje me ekipe speciale të kërkim-shpëtimit.

“Një iniciativë bashkë me shoqatën 'Esnaf' edhe me shoqatat tjera e kemi ndërmarrë. Kemi hapur një llogari në bankën 'Ziraat' për të ndihmuar që të jemi afër Republikës së Turqisë, afër vëllezërve tanë”, tha Damka.

Varis Xhejlani, kryetar i shoqatës “Esnaf”, tha se fushata për ndihmë humanitare është iniciuar për ta dëshmuar solidaritetin me Turqinë.

“Pra, nëpër rrjetet tona sociale kemi shpalosur njoftimin, edhe ju bëj apel bizneseve që operojnë, qytetarëve kush ka mundësi që të ndihmojnë në atë xhirollogari që kemi cekur, është sadopak një lehtësim, sadopak një solidarizim me vëllezërit tanë në Turqi", tha Xhejlani.

Qeverisja komunale në Prizren njoftoi pas mbledhjes së të martës se Drejtoria e Emergjencave është në gjendje gatishmërie për të ofruar çdo lloj mbështetjeje të nevojshme për Turqinë.