Pasi e ka përcjellë shpalljen e vendimit për rastin “Syri i Popullit”, gazetarja Saranda Ramaj është kthyer në redaksi për ta shkruar tekstin për gazetën “Koha Ditore”.
Ramaj, që kryesisht raporton tema nga fusha e drejtësisë, për nismën e KPM-së në ndryshim të Kodit të Etikës, thotë se do të amnistonte punën e institucioneve të drejtësisë, por edhe politikanëve të akuzuar në afera korruptuese, raporton KTV.
Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, por edhe Ligji për Gjykatat, sigurojnë që seancat duhet të jenë të hapura për publikun, përveç në raste të caktuara, dhe Ramaj shton se në këtë formë duhet të mbeten.
Ndryshimet e propozuara në Kodin e Etikës, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike i sheh krejt të panevojshme, dhe pikën 11 të nenit 7, që ndalon raportimin nga gjykatat, si më problematiken.
“Jo vetëm që do ta kufizonte punën e gazetarëve rreth raportimeve nga gjykatat, por do ta cenonte rëndë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Kosovë. Për më tepër, ky ndalim është absurd i llojit të vet, sepse bëhet vetëm për shërbimet mediale audiovizuale (radio dhe televizione) që janë subjekt i rregullimit nga KPM-ja, përderisa mediat online dhe gazetat do të mund të vazhdojnë me raportimet nga gjykatat ashtu siç parashihet dhe lejohet me Kushtetutë dhe ligjet e tjera në fuqi”, ka thënë Ardita Zejnullahu – Kryeshefe ekzekutive në AMPEK.
AMPEK-u, edhe në komentet e saj kishte alarmuar KPM-në për përmbajtjen e pikës në fjalë, derisa qëndrimi i Asociacionit është që e njëjta të fshihet në tërësi.
Në anën tjetër, Asociacioni i Gazetarëve, bashkë me juristen e të drejtës së medias, Flutura Kusari, përmes një shkrese i kanë kërkuar sqarime KPM-së lidhur me propozimet e bëra për ndryshimin në Kod.
Duke i konsideruar si cenuese të lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe lirisë së mediave, është bërë thirrje që të mos procedohet me to.
Komisioni i Pavarur për Media, përveç Kodit të Etikës, ndryshime ka iniciuar edhe në draft-rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve, derisa ky institucion pritet që në fund të javës të mblidhet për shqyrtimin e tyre.