Arbëri

Komuniteti ashkali në Lipjan kërkon përfaqësim të drejtë në institucione publike

Qytetarët e komunitetit ashkali në Komunën e Lipjanit ankohen se nuk janë të përfaqësuar në institucione publike. Thonë se nuk po merren parasysh kur bëhet fjalë për punësimin, e për këtë, kanë kritikuar udhëheqjen komunale. Në këtë qytet jetojnë rreth 3 mijë banorë të komuniteteve ashkali, rom e egjiptian

Banorët e komunitetit ashkali në Komunën e Lipjanit ndihen të nënçmuar sa i përket punësimit në institucione publike.

Përfaqësues të këtij komuniteti në Lipjan ankohen se institucionet nuk po e zbatojnë Ligjin për përfaqësim të komuniteteve pakicë në institucione publike. Po ashtu, thanë se si asnjëherë më parë, mes këtij komuniteti ka shumë të rinj e të reja me shkollim të lartë.

“Në dhjetë vjetët e fundit komuniteti ashkali është jashtëzakonisht i interesuar për t’u shkolluar sepse një numër i madh i kanë përfunduar shkollimet dhe unë si përfaqësues i komunitetit më bën të ndihem mirë që ka shumë njerëz që kanë kryer fakultetin. Por ata po bredhin rrugëve, ose ata kërkojnë punë nëpër firma të ndryshme dhe as aty nuk arrijnë të punësohen. Kemi njerëz adekuatë që mos të them se mund ta qeverisin edhe komunën”, ka thënë Etem Arifi, përfaqësues i këtij komuniteti.

Në këtë komunë janë rreth tre mijë banorë të komuniteteve ashkali, rom e egjiptian.

Gëzim Gashi, banor i komunitetit ashkali, kritikoi udhëheqjen e komunës. Tha se komunitetet nuk janë fare të përfaqësuara në institucione publike.

“Fatkeqësisht këtu nuk mund ta gjesh asnjë ashkali, asnjë rom, asnjë egjiptian të punësuar edhe pse ka djem të shkolluar me fakultete e të përgatitur shumë mirë, por fatkeqësisht mungesa, vullneti i kësaj qeverisje nuk është që të punësojë pjesëtarë të komunitetit ashkali, rom dhe egjiptianë, edhe pse gjendja e sigurisë është shumë mirë dhe është shembull nga komunat tjera, ndërkaq sa i përket punësimit është njëra ndër komunat që ka zbehur edhe ligjin e 10-përqindëshit të komuniteteve që duhet të jenë të punësuar në administratë , dhe këtë të drejtë nuk e gëzojmë në komunën e Lipjanit”, ka thënë Gashi.

Në Komunë të Lipjanit nuk kanë ndonjë shifër se sa banorë nga komunitet pakicë janë të punësuar në institucione publike. Por insistojnë se trajtimi është i barabartë.

“Unë si kryesuese e grupit të grave, vazhdimisht i njoftoj të gjitha komunitetet për çfarëdo informate që kam për punësim apo për zhvillim profesional. Tash është edhe problem i përgjithshëm, andaj ne i inkurajojmë edhe bizneset private, mirëpo shumica po dalin jashtë dhe është një problem kolektiv dhe të gjithë e shohin veten jashtë dhe dëshirojnë ta provojnë vendin në perëndim se si shkojnë pastaj, mirëpo përndryshe janë të përkrahur pa dallim”, ka thënë zëdhënësja e Komunës, Hyra Shabani-Bytyqi.

Sipas zëdhënëses Bytyqi, Komuna për të ardhmen ka planifikuar të përkrahë komunitetet pakicë edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme në bujqësi dhe në fusha të tjera.