Arbëri

Komunitetet joshumicë në Prizren ankohen për zvarritje në realizimin e projekteve

Kuvendi komunal i Prizrenit, komunitetet joshumice

Anëtarët e Komitetit për Komunitete në Prizren kanë paraqitur një mori kërkesash për realizimin e projekteve infrastrukturore në vendbanimet ku jetojnë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

Tek ka raportuar në mbledhjen e fundit të këtij komiteti, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, tha se buxheti i këtij viti është miratuar në fund të muajit prill, dhe se për këtë arsye ka pasur vonesa në realizimin e projekteve.

Por, anëtarë të kësaj trupe të Kuvendit Komunal veçuan disa projekte e intervenime në infrastrukturë që nuk janë marrë parasysh dhe patën një pyetje për drejtorin.

"Një numër të konsiderueshëm të kërkesave janë bërë edhe nga radhët e komunitetit ashkali, po e potencoj që përafërsisht për shtrimin e rrugëve në lagjen 'Edit Durham' është e vetmja rrugë e cila nuk është shtruar", tha Gani Elshani.

“A po merren parasysh kërkesat e komuniteteve apo po neglizhohen duke thënë po i lëmë për vitin e ardhshëm”, tha kryesuesi Ertan Simitçi.

Drejtori Lamaj shprehu qëndrimin se organet komunale nuk bëjnë dallime të kësaj natyre.

“Nuk mund ta marr me mend me ba dallime mes komuniteteve në Prizren. Absolut jo këso dallime, por as politike. Më shumë i kryej punë opozitës sesa atyre tash po e them të mijëve që vijnë”, tha Lamaj.

Për investimet kapitale në kuadër të Drejtorisë për Shërbime Publike sivjet janë planifikuar afro 10 milionë euro. Sipas raportit të këtij dikasteri deri tani janë shpenzuar 56.5 për qind të mjeteve për investime kapitale, dhe është shprehur synimi që deri në fund të vitit realizimi të shkojë në 75 për qind.