Arbëri

Komunitetet joserbe të gatshme për bashkëpunim me Kurtin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar të enjten diskutimet me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, për formimin e Qeverisë së re. Krahas kërkesave që kanë adresuar, ata kanë ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me Kurtin. Por, nuk kanë hedhur poshtë as mundësinë që përkrahjen e njëjtë t’ua japin edhe partive të tjera

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar edhe të enjten takimet me përfaqësues të partive që u përkasin komuniteteve joshumicë, përjashtuar Listën Serbe.

Të enjten kryeministri në detyrë ka takuar deputetët, të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend, nga komuniteti turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian e goran.

Fillimisht takoi kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, njëherësh ministrin në detyrë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.

Për dallim nga partnerët e tjerë në ekzekutiv që takoi të mërkurën nga të cilët mori konfirmimin për mbështetje, sipas njoftimit të Qeverisë, në mes të Damkës e Kurtit ka pasur shprehje të vullnetit e gatishmërisë për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Kryeministri Kurti falënderoi z. Damka për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend. Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kurti, që synon edhe një mandat në krye të ekzekutivit, konfirmim të mbështetjes nuk mori nga deputetët e tjerë që i takoi.

Përveç me Kurtin, që të gjithë deputetët nga komunitetet kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe me subjektet e tjera politike.

“Në parim jemi të gatshëm me bashkëpunu, por sigurisht kemi me i pasë kërkesat e tona që janë legjitime dhe të nevojshme”, ka thënë Veton Berisha, përfaqësues i Partisë Liberale Egjiptiane. “Ne në parim nuk kemi asnjë vijë të kuqe me askënd”.

Në këtë frymë ka folur edhe Albert Kinolli, që përfaqëson Partinë Rome të Bashkuar.

“Ne nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjekt politik, mirëpo duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe duke pasur parasysh që subjekti politik është fitues i këtyre zgjedhjeve sot kemi qenë në takim me kryeministrin”, ka thënë ai.

Përveç trajtimit të barabartë e përkrahjes së komuniteteve që përfaqësojnë, deputetë nga komuniteti boshnjak insistuan edhe në krijimin e një komune boshnjake.

Ashtu siç nuk morën premtime për realizimin e kërkesave të tyre, edhe ata nuk konfirmuan mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi dhënë asnjë konfirmim. Tash jemi në fazën e bisedimeve. Asgjë konkrete. Pra kërkesa është: komuna e boshnjakëve, është reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me deputetët që e kanë një votë brenda Kuvendit”, ka thënë Duda Balje, që përfaqëson Unionin Socialdemokrat.

E Rasim Demiri, i cili përfaqëson Koalicionin Vakat, ka thënë se nuk ka vënë kushte.

“S’mundet me qenë kusht. Ne kurrë nuk kemi pasë kusht edhe më herët kur është kërku. Nuk ka qenë kusht, veç po më vjen mirë që ka hapësirë të bisedojmë për komunën”, ka thënë ai.

Takimet me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i nisi të mërkurën kur takoi zëvendëskryeministren në detyrë, Emilja Rexhepi e ministrat në detyrë Nenad Rashiq e Elbert Krasniqi.

Lëvizjes Vetëvendosje ka siguruar gjithsej 48 ulëse në Kuvend. E, për formimin e Qeverisë i duhen 61 vota.