Arbëri

Komunitetet e Prizrenit kërkojnë investime në mjediset e tyre

Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit të Komunës së Prizrenit të hënën ka mbajtur dëgjimin publik me qytetarët, për përgatitjen e buxhetit lokal për vitin 2023.

Pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët dhe propozimet e dhëna kanë qenë kryesisht për rregullimin e infrastrukturës.

Edhe pjesëtarët e komuniteteve joshumicë kanë kërkuar rregullimin e rrugëve e kanalizimeve, por edhe të qendrave kulturore.

"Situata në lagjen 'Jeta e Re' është shumë e vështirë për banorët tanë atje ku ne jetojmë. Problemi është te infrastruktura, ku qindra nxënës kalojnë në atë rrugë dhe shkojnë me çorape të lagura dhe atje qëndrojnë 3-4-5 orë në shkollë dhe kthehen të sëmurë”, tha Ymer Korena, pjesëtar i komunitetit rom.

“Sa e pashë këtu për vitin 2023 është paraparë 15 mijë euro, për vitin 2024, 10 mijë. Është një vlerë mizore dhe besoj se deri në vitin 2030 nuk do të ndërtohet sipas këtij buxheti”, tha Haki Rashtana, pjesëtar i komunitetit turk.

Prezantimi i shkurtër i planifikimit buxhetor është bërë nga drejtori i Financave, Sulltan Badallaj, i cili ka theksuar se për investimet kapitale, ku kryesisht përfshihen kërkesat e qytetarëve, janë planifikuar afër 19 milionë euro, nga buxheti i përgjithshëm prej 57 milionë eurove.

“Një diçka duhet të dihet se nevojat e qytetarëve janë shumë më të mëdha se buxheti, i cili na ka ardhur nga ministria, janë kufijtë buxhetorë që janë caktuar, është një buxhet prej 57 milionë e 500 mijë eurosh”, tha Badallaj.

Asamblisti i VV-së, Karanfil Haxhillari, ka kritikuar pushtetin për organizimin e këtij takimi.

"Informimi i qytetarëve për këtë dëgjim publik është bërë sot në orën 8 në mëngjes. Nuk po të fajësoj ty, kryesuese, por zyrën e informimit, që është pjesë përbërëse e këtij dëgjimi", tha Haxhillari.

Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në Kuvendin e Komunës deri më datën 30 shtator të vitit vijues dhe atë ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.