Arbëri

Komunës së Gjilanit i kërkohet rishqyrtimi i vendimit për dhënien e pronës Bashkësisë Islame

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka konstatuar se është i paligjshëm vendimi i Kuvendit Komunal në Gjilan për ndarjen e pronës komunale Bashkësisë Islame, pronë kjo që gjendet prapa Muzeut në qendrën e qytetit në Gjilan.

Në dokumentet komunale, hapësira e cila gjendet mbrapa muzeut është paraparë të shfrytëzohet për parking. Por, kërkesa e Bashkësisë Islame që në këtë pronë të ndërtojnë objektin e tyre kishte ndikuar që komuna të ndryshojë qasjen e saj. Për të realizuar kërkesën e Bashkësisë Islame, organet komunale kanë ndryshuar pjesërisht planet rregulluese të qytetit, me qëllim që Bashkësisë Islame t’i mundësohet ndërtimi i objektit të saj në atë pjesë.

Por, këto veprime po konsiderohen se janë të paligjshme nga Ministria e cila saktëson se Ligji për planifikimin hapësinor nuk e parasheh ndryshimin e pjesshëm të dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe se nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor të nivelit lokal.

Kuvendit Komunal i Gjilanit kërkohet që në afat prej 30 ditësh të rishqyrtojnë këtë vendim. Por dega e Bashkësisë Islame në Gjilan deklaron se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre, ngase sipas tyre lokacioni mbrapa muzeut është një lokacion i përshtatshëm për ndërtimin e objektit, të cilin do e shfrytëzojnë për veprimtari të ndryshme administrative. Kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu deklaron se komuna u kishte propozuar dy prona komunale për ndërtimin e objektit të Bashkësisë Islame, por thotë se këto propozimet fillestare të komunës janë refuzuar nga ana e tyre. Ai insiston se hapësirë e përshtatshme për ndërtimin e objektit të tyre është prapa muzeut.

“Nuk kemi kërkuar nga komuna që të veprojë në kundërshtim me ligjin. Parcelat të cilat na ka ofruar komuna kanë qenë larg dhe nuk na kanë konvenuar dhe për ne e përshtatshme ka qenë parcela në fjalë. Po janë dy lokacione të cilat janë propozuar: njëra është në fshatin Kufcë dhe njëra hapësirë në Kodrën e Dëshmorëve dhe asnjëra prej atyre parcelave nuk ka qenë e favorshme. Nuk do të tërhiqemi nga kërkesa jonë me asnjë kusht, ngase duam që në atë lokacion të ndërtohet objekti sepse është vend i përshtatshëm” ka thënë ai.

Ndërkaq Kuvendi Komunal ende nuk ka vendosur në rend dite rishqyrtimin e vendimit. Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini deklaron se drejtoria e urbanizimit është njoftuar se ndryshimi i pjesshëm i planit rregullues nuk është në përputhje me ligjin. Ajo thotë se drejtoritë komunale kanë kërkuar kohë, meqë ata duan që të zhvillojnë edhe takime në Ministrinë e Pushtetit Lokal për t’u sqaruar për këtë çështje. Thotë se rishqyrtimi i vendimit do të marrë epilog së shpejti.

“Si Kuvend, e kemi dërguar shkresën tek drejtoria e urbanizimit që duhet të veprojë në harmoni me kërkesat që ka bërë MAPL-ja. Ata brenda javës drejtori i urbanizmit dhe drejtori i kadastrit kanë një konsultë rreth kësaj çështjeje në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministritë e linjës. Brenda javës do të dalim me një qëndrim sesi duhet me marrë epilog kjo çështje”, ka thënë ajo.

Ndryshe Partia Demokratike e Kosovës kishte akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se ishte duke manipuluar me Bashkësinë Islame ngase dhënia në shfrytëzim e pronës komunale në këtë formë ishte e paligjshme. Ata kishin kërkuar që komuna të gjejë një lokacion tjetër që është i përshtatshëm.