Arbëri

Komunat s’e presin lejen e Ministrisë, punësojnë vetë psikologët për shkolla

Shkolla

Për 35 shkollat e Komunës së Pejës, deri në vitin e fundit shkollor kanë qenë gjithsej katër psikologë. Për angazhimin e psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla është kompetencë e Ministrisë së Arsimit që duhet të lejojë këto pozita dhe të ndajë vijë buxhetore dhe punësimin e tyre e bëjnë drejtoritë komunale të Arsimit. Tani, Komuna e Pejës nuk ka pritur më nga ministria dhe ka rekrutuar vetë këtë muaj me konkurs edhe dy psikologë të tjerë.

“Ne kemi drejtë të punësojmë çdo profil në arsim, por vendet e punës janë të cunguara. Vetë ministria duhet të ta lejojë vendin e ri të punës, sikur në këtë rast për psikolog. Por Ministria e Arsimit ende nuk ka lejuar të hapen vende të lira dhe këto vende për dy psikologë tash i kam hapur vet me buxhet të Komunës për shkak të nevojës”, ka thënë drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj.

Ai ka treguar se dy punëtorë në arsim të një profili tjetër kanë dalë në pension dhe janë punësuar me konkurs psikologë në vend të profilit tjetër.

“Do gjëra po na duhet vetë t’i kryejmë pa e pritur ministrinë me na jep leje, sepse kemi pas nevojë për psikologë dhe i kemi punësuar. Juridikisht është në rregull”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, tek për vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit ka lejuar në gjithë Kosovën 100 vende të lira për punësimin e psikologëve nëpër shkolla.

“Pejës ia ka lejuar gjashtë vende për punësimin e psikologëve. Pra ministria ma lejon buxhetin vitin e ardhshëm për gjashtë psikolog tjerë dhe komuna e shpall konkursin e i pranon. Ne i kemi edhe gjashtë pedagogë dhe me këta gjashtë psikologë që na është lejuar nga ministria për vitin e ardhshëm, si dhe me gjashtë psikologët që tash i kemi, besoj që me gjithë këta 18 psikologë e pedagogë do të plotësojmë nevojat e shkollave në komunën tonë”, ka shtuar Avdimetaj.

Punësim të psikologëve e pedagogëve para fillimit të vitit të ri shkollor ka pasur edhe në tri komunat përreth Pejës, Klinë, Istog e Deçan.

“Në komunën tonë janë 11 shkolla fillore dhe dy të mesme, e i kemi pas vetëm dy psikologë. Ne kemi pas disa vende të lira të punës dhe i kemi angazhuar edhe tre psikologë, se vetëm dy i kemi pas. Kurse nga Ministra e Arsimit, për vitin e ardhshëm na është lejuar punësimi edhe i 11 psikologëve e pedagogëve për shkolla. Pasi të angazhohen edhe këta vitin e ardhshëm, do të mjaftojnë për nevojat e shkollave të Istogut”, ka thënë drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi.

Kurse në 29 shkollat e Klinë në të dyja nivelet, deri tash i kanë pas vetëm katër psikologë.

“I kemi katër psikologë e tash e kemi hap edhe një konkurs për një psikolog në shkollën fillore në fshatin Shtupel. Ministria na ka lejuar të angazhojmë edhe psikologë tjerë vitin e ardhshëm, por për momentin nuk e di saktësisht sa vende”, ka deklaruar drejtor i Arsimit në Klinë, Enver Gashi. E në shkollat e komunës së Deçanit deri këtë vit shkollor, pasluftës nuk ka pas asnjëherë një psikolog apo pedagog të vetëm të punësuar. Tek tash nga ky vit shkollor janë punësuar nga Drejtoria e Arsimit një psikolog dhe një pedagog për të gjitha shkollat e Deçanit.

“Ne i kemi 18 shkolla fillore me katër paralele të ndara dhe dy shkolla të mesme. Deri në këtë vit shkollor nuk e kemi pas asnjë psikolog apo pedagog. Meqenëse kishim nevojë imediate dhe na u shfaq mundësia që të bëjmë diçka me buxhet të komunës, këtë muaj ne kemi bërë një rekrutim dhe kemi angazhuar një psikolog dhe një pedagog, e s’kemi prit deri vitin e ardhshëm”, u shpreh Bekim Vishaj, drejtori i Arsimit në Deçan.

Psikologu dhe pedagogu i angazhuar, sipas tij, do të jenë të lëvizshëm sipas nevojave nëpër shkolla, derisa të plotësohet numri i nevojshëm i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla.

Për vitin e ardhshëm, siç ka thënë Vishaj, Ministria e Arsimit u ka lejuar që të angazhohen edhe katër psikologë dhe dy a tre pedagogë për shkollat e Deçanit.

“Nëse ministria e mban fjalën për buxhetimin e këtyre vendeve të lira për psikolog dhe pedagog vitin e ardhshëm, besoj që pastaj numri i tyre do të mjaftojë për shkollat e Deçanit”, ka shtuar ai.

Meqenëse Ministria e Arsimit është kompetent për lejimin e angazhimit të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla, KOHA ka provuar të kontaktojë këtë ministri lidhur me veprimin e këtyre komunave që kanë punësuar psikologë me mbulesë nga buxheti komunal. Por nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje që nga e premtja për punësimet që janë bërë pa lejen e saj, si dhe për nevojën që kanë shkollat në përgjithësi për këto kuadro.