Përfaqësues të komunave kanë shprehur shqetësimin për problemet me financa që po përballen si pasojë e kontratës kolektive. Sipas tyre, Qeveria duhet të ndërmarrë masa, në të kundërtën edhe komunat e tjera në muajt në vazhdim do të gjenden në të njëjtin problem
Si shkak i kontratës kolektive, Komunës së Suharekës i është bllokuar qasja në financa, derisa të procedohen vendimet gjyqësore.
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka thënë se kjo çështje i takon Qeverisë dhe jo Komunës së Suharekës.
Ai ka paralajmëruar se do të kërkohen mjete shtesë nga niveli qendror e me problemin e njëjtë po përballen edhe komunat e tjera.
“Për problemet me financa, si shkak i kontratës kolektive, përfaqësues të komunave të tjera kanë kërkuar nga Qeveria të ndërmarrin masa, në të kundërtën në muajt në vazhdim edhe komunat e tjera do të përballen me probleme financiare”, ka thënë Muharremaj.
Problemin e kontratës kolektive e ka ngritur edhe Mehmet Ballazhi, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
“Ky është problem që është dëshmuar edhe në komuna të tjera, sigurisht që mund të jetë edhe për ne e njëjta gjë, ne si komunë deri tash kemi paguar 385 mijë euro dhe kjo gjë neve na ndikon në buxhet. Ne kemi kërkuar që të bëhet zgjidhje”, ka thënë ai.
E Selim Marevci, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Ferizajt, ka deklaruar se rreth 60 për qind e mjeteve të dedikuara për investime kapitale mund të shkojnë për pagesë të kontratës kolektive.
“Fatmirësisht këtë punën e kontratës kolektive nuk po bëhet selektim, sepse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës po i kap një lloj domino sa i përket punës së kontratës kolektive, në këtë rast as Ferizaj nuk do të jetë imun sa i përket kësaj problematike, sepse nëse e shohim me shifra me rreth 60 për qind në investime kapitale, Komuna e Ferizajt mund të dëmtohet”, ka thënë Marevci.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në emisionin “60 Minuta” në KTV, të martën, ka thënë se komunat po detyrohen që mjetet për këtë pagesë t’i marrin nga ato për investime kapitale.
“Vetëm gjatë një periudhe të shkurtër kohore, katër komunave u janë bllokuar xhirollogaritë: Deçanit, Rahovecit, Suharekës, e Vitisë – mirëpo kjo mund të ndodhë edhe në komunat e tjera, pasi jemi në përfundim të vitit. Kjo po ndodh pasi komunat i kanë shpenzuar mjetet e investimeve kapitale deri në 100 për qind dhe këto mjete financiare për kontratat kolektive janë marrë në shumicën e rasteve nga investimet kapitale. Pastaj edhe nga subvencionet. Këtë alarm e kemi ngritur që nga takimi i parë me kryeministrin Albin Kurti, por që disa vjet kemi hasur në vesh të shurdhër. E kemi ngritur këtë çështje edhe me qeveritë e kaluara. Ne si Asociacion nuk jemi ndonjë mekanizëm për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por në vitin 2018 kjo lëndë ka shkuar edhe në Kushtetuese për ta zgjidhur problemin. Por Kushtetuesja ka thënë se ky rast nuk është i pranueshëm për Kushtetuesen”, ka thënë ai.
Që nga vendimi i Gjykatës më 2022, siç thotë Ibrahimi, komunat kanë paguar mbi 122 milionë euro për kontratat kolektive, derisa shumica e mjeteve janë marrë nga investimet kapitale.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, të martën ka folur për çështjen e bllokimit të llogarive të Komunës së Suharekës. Sipas tij, Qeveria nuk ka të bëjë me këtë.
“Konsideroj që ankesat janë në adresë të gabuar dhe po ka tendencë të shfrytëzohen për çështje politike ndaj Qeverisë. Në vazhdimësi kemi parë, qoftë nga Asociacioni i komunave apo edhe nga niveli komunal që të tentohet të bëhet bartja e fajit. Qeveria nuk bllokon llogari, por nëse ka shkuar njoftimi nga thesari që po bllokohen llogaritë. Bllokimet bëhen nga përmbaruesit dhe urdhrat e formës së prerë të gjykatave, të gjyqësorit për pagimin e obligimeve të prapambetura. As tendencë politike nuk ka këtu, as nuk është obligim i Qeverisë, kjo qeveri nuk ua ka bartur komunave këtë obligim”, ka thënë Murati.
Në fakt, dhjetëra miliona euro llogaritet të jetë dëmi financiar i shkaktuar nga mospërmbushja e kontratave kolektive kundrejt punonjësve të arsimit në Kosovë.
Nga viti 2014 janë nënshkruar tri kontrata të tilla ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit, por ato nuk janë zbatuar kurrë plotësisht.
Të fundit e ndërpreu Qeveria Kurti në fillim të mandatit. Megjithatë për Sindikatën e Arsimit shkëputja e njëanshme e kontratës kolektive nga Qeveria është joligjore. Për këtë sindikatë, ajo vazhdon të jetë në fuqi.
Andaj mësimdhënësit përmes gjykatave po i fitojnë rastet lidhur me benefitet e kontratës kolektive, për çka më pas komunat po detyrohen t’i paguajnë.