Kosova nuk ka arritur të ndërtojë sistem të duhur shëndetësor dhe si pasojë, qytetarët nuk kanë ende sigurime shëndetësore.
Zbatimi i sigurimeve shëndetësore, ishte një prej kërkesave të dala për Qeverinë nga takimi i kryetarëve të komunave të regjionit të lindjes, që u mbajt sot në Gjilan, e ku u diskutua edhe menaxhimi i gjendjes emergjente si pasojë COVID-19.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësuesit e 11 komunave, si Gjilani, Vitia, Kamenica, Ferizaj, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Novobërda, Kaçaniku, Shtërpca dhe Hani i Elezit.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati në emër të komunave pjesëmarrëse ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i përshpejtojë hapat dhe të zbatojë sigurimet shëndetësore për qytetarët.
“Sigurimet shëndetësore janë një prej nevojave dhe prioriteteve. Duhet pasur parasysh se çështja e sigurimeve shëndetësore është çështje e Qeverisë së Kosovës, më saktësisht e Ministrisë së Shëndetësisë dhe po kërkojmë bashkërisht tashmë nga ministri i ri i Shëndetësisë me u mundu me e shty përpara këtë proces” ka thënë ai.
Kurse kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se në këtë periudhë të pandemisë, komuna është angazhuar sikurse edhe të tjerat për parandalimin e përhapjes së virusit i cili ka marrë edhe jetë të njerëzve.
“Jemi regjioni me koordinimin më të mirë në luftën kundër pandemisë globale Covid-19. Që nga Kamenica në njërën anë e deri në Komunën e Shtërpcës në anën tjetër, duke përfshirë edhe komunat tjera, kemi arritur të bashkëpunojmë dhe të involvojmë të gjitha institucioneve lokale e regjionale në parandalim të virusit”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se komunat në këtë kohë të pandemisë po përballen me deficitin financiar që është pasojë e rënies të të hyrave. Ai ka deklaruar se kërkesat e tyre për të mbuluar deficitin financiar do të merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq, ka deklaruar se është bërë një punë e mirë në tejkalimin e kësaj faze të vështirë të përballjes me virusin. Ka ofruar bashkëpunimin e tij të plotë në raport me komunat e tjera.
E kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka deklaruar se si komunë e cila ka afër edhe pikën kufitare, ka pasur vështirësi në menaxhimin e situatës emergjente, ngase ka pasur një staf të kufizuar shëndetësor. Ai ka falënderuar komunat e tjera të cilat kanë asistuar me personel shëndetësor.