Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesë në Kryesi për seancë të jashtëzakonshme për dy vrasjet e fundit në kazino.
Përmes kësaj seance, LDK-ja po synon që t’i pezullojë aktivitet e kazinove dhe lojërave të fatit.
Deputetët e kësaj partie vlerësojnë se ekziston rreziku që ngjarjet e tilla të shndërrohen në fenomen.
“Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë, janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen, përmes seancës së jashtëzakonshme. Mosveprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësojë adresimin e këtij problemi më vonë”, thuhet në letrën e deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kundër kësaj veprimtarie kanë dalë edhe disa kryetarë komunash.
Në Komunën e Suharekës, kryetari Bali Muharremaj, ka njoftuar se ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit.
Këtë nismë e ka mbështetur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
Tri ditë pas vrasjes së rëndë në një kazino në Suharekë, gjatë mbrëmjes të së mërkurës, edhe një tjetër punëtor u vra në vendin e tij të punës në Lipjan.
Ai dyshohet se u vra nga një person i cili po tentonte ta grabiste kazinonë, ku 36-vjeçari punonte.