Arbëri

Komunat e rajonit të Prizrenit rinovojnë marrëveshjen për mbështetje të strehimores

Katër komuna të rajonit të Prizrenit janë zotuar për të vazhduar mbështetjen financiare të Qendrës për strehimin e grave dhe fëmijëve që janë viktima të dhunës në familje. Për to katër biznese do të ofrojnë ushqim e materiale shkollore. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë përsëritur thirrjet për t’i dhënë fund rasteve të dhunës në familje.

Komunat e rajonit të Prizrenit kanë rinovuar marrëveshjen për mbështetjen financiare të Qendrës Rajonale për Strehimin e Grave dhe të Fëmijëve që janë viktima të dhunës në familje.

Kësaj nisme i janë bashkuar edhe katër biznese të kësaj ane, me zotimin për ofrimin e mbështetjes për Strehimoren në Prizren me pako ushqimore dhe furnizime shkollore.

Asistenca për viktimat e dhunës në familje është vlerësuar si qenësore për t’i dhënë rastin atyre që t’i tejkalojnë përvojat traumatike.

Drejtoresha e Strehimores në Prizren, Jubilea Kabashi, ka bërë të ditur se sfida më e madhe për secilën strehimore është qëndrueshmëria.

“Ky memorandum e ka vlerën e vet shumë të madhe, sepse ne kemi synuar gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë punës sonë që kemi bërë si Strehimore që t’i involvojmë të gjithë në këtë mision, që të gjithë të marrin përgjegjësitë dhe barrën për grupet e margjinalizuara dhe viktimat e dhunës në familje”, ka thënë Kabashi.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka vlerësuar se shërbimet sociale për parandalimin e dhunës në familje sikurse edhe për t’i asistuar viktimat e kësaj dhune janë qenësore.

“Pa këtë dhe pa mbështetjen nga strehimoret, kryesit e dhunës në familje do ta kishin më të lehtë për t’i mbajtur marrëdhëniet abuzive, duke i izoluar viktimat”, është shprehur Davenport.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka pohuar se veprimi adekuat dhe me kohë është i nevojshëm për të shpëtuar jetët e grave dhe mirëqenien e familjeve.

E Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë thirrje që rastet e dhunës në familje të mos heshten.

e nënshkruar nga komunat: Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë do të mbulojë pjesërisht shpenzimet e Strehimores për tre vjetët e ardhshë.