Rreth 60 ditë duhen për zëvendësimin e një mësimdhënësi. Procedurat e tilla po zbatohen edhe tash, kur i madh është numri i mësimdhënësve të infektuar me koronavirus.
Por, në një mbledhje të Asociacionit të Komunave, drejtorët e arsimit kanë kërkuar shkurtimin e këtyre procedurave të rekrutimit.
Ata theksojnë se për shkak të gjendjes pandemike, zëvendësimi i tyre në mënyrë të përshpejtuar është i domosdoshëm e urgjent.
“Minimumi i një konkursi publik është 45 ditë. E pastaj intervista me shkrim dhe me gojë, që diku sillet rreth 60-ditëshit. E paramendoni çfarë humbje të orëve mund të ketë, ku 60 ditë i merr një konkurs publik, ku tani janë rreth 50 mësimdhënës të infektuar me COVID”, ka thënë Fatbardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë.
Të përkeqësuar e ka quajtur gjendjen nëpër shkolla edhe Afrim Llabjani i DKA-së së Ferizajt. Ka bërë të ditur se në këtë komunë janë 98 mësimdhënës të infektuar e 437 nxënës.
"Momentalisht në Komunën e Ferizaj kemi 98 mësimdhënës të infektuar, kemi 437 nxënës, 11 personel tjetër dhe për momentin i kemi nëntë shkolla në sistemin online. Sa është efektive mësimi online, po besoj që kemi përvojë të mirë në këtë drejtim dhe kemi parë se sa ka efektivitet dhe rezultate. Përgjegjëse për krejt këtë janë shkollat, sipas udhëzuesve të cilët i kanë dhe shkollat janë nganjëherë në dilema që a të kalohet në online apo të mos kalohet. Sepse kërkesat janë që një pjesë e stafit është që të vazhdojë, një pjesë tjetër jo. Por problemi pastaj qëndron edhe të zëvendësimet e atyre mësimdhënësve që është e pamundur për të bërë. A të kalojmë të gjithë në sistem online si Republikë e Kosovës, apo prapë po na mbetet komunë për komunë, apo shkollë për shkollë?”, është shprehur Afrim Llabjani nga DKA në Ferizaj.
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes me COVID, ka nga DKA-të që propozojnë se shkollat duhet të vazhdojnë të jenë të hapura
“Unë jam ithtar që mësimi të kthehet me prani fizike të nxënësve në shkolla, dhe këtë prani fizike unë kisha bërë apel që qysh të hënën të kthehet mësimi fizik në shkolla. Sepse kur e them këtë, numri nuk është ky që është sot që e raportojmë. Brenda kësaj periudhe pjesa dërrmuese dalin negativë. E mira e gjithë kësaj është se asnjë nxënës dhe asnjë mësimdhënës nuk është i hospitalizuar”, tha Naser Gega nga DKA në Pejë.
Për situatën me COVID për të gjitha nivelet e arsimit ka folur ministrja Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se varësisht shifrave të infektimit, shkollat do të mbyllen apo do të qëndrojnë të hapura.
“Nga 775 institucione edukative-arsimore, 90 institucione po punojnë sipas skenarit C, sa u përket rasteve aktive janë 1489 mësimdhënës që janë pozitivë me virusin COVID, 187 personel tjetër, 6684 nxënës të cilët janë pozitivë dhe janë të izoluar. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme që të krijohen kushte të nevojshme që të vijohet procesi mësimor. Janë shpërndarë maska dhe dezinfektues në të gjitha shkollat e vendit”, ka pohuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se të gjitha kërkesat e drejtorëve komunalë do t’i adresojë në Ministrinë e Arsimit.