Pak orë pasi KOHA ka raportuar se projekti 18.4 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, punonjësit e angazhuar në projekt kanë nisur t’i vendosin barrierat te Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Punëtorët i kanë thënë ekipit të KOHËS se në këtë zonë do të hapet një kanal i gjatë.

Vendosja e barrierave në këtë zonë ndodh pak ditë pasi Komuna nisi punimet për sheshin duke mos përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore në raport me katër monumente.
KOHA ka raportuar të mërkurën se bazuar në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, kërkohet që çfarëdo intervenimi në pronat e trashëgimisë kulturore ose afër tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në rastin konkret, institucion kompetent është instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Ky shesh është paraparë të ndërtohet në mes monumenteve si hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova dhe Biblioteka Kombëtare.
E në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kanë thënë se komuna s’ka dërguar projekt te ta.