Arbëri

Komuna s’tregon nëse kryetari Rama kishte raporte pune me hisedarët e “Arkitektit të Qytetit”

Rreth 2.3 milionë euro ka paguar Komuna e Prishtinës vitin e kaluar për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”, që ofrohet nga një grup operatorësh ekonomikë. Kontrata ka vlerën 12 milionë euro. E, burime të KOHËS thanë se në ofertën për kontratën 12-milionëshe që e dha Komuna, u prezantua edhe projekti ku punoi kompania e kryetarit Përparim Rama

Fatura që ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje tregojnë se vetëm për muajt tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka paguar mbi 1 milionë euro për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”. E në dy muajt paraprakë, 600 mijë euro të tjera. 

Ndërkaq një dokument që e ka parë KOHA tregon se për këtë shërbim janë paguar vitin e shkuar rreth 2.3 milionë euro nga kontrata prej 12 milionë eurosh, që në vitin 2022 Komuna e Prishtinës e nënshkroi me një grup operatorësh ekonomikë.

Në partinë më të madhe opozitare në kryeqytet thonë se pagesat që po bëhen janë plotësisht të paarsyetuara.

“Nga diskutimet dhe analizat që i kemi bërë me profesionistë të fushës, është konstatuar se çmimet e shërbimeve që janë tarifuar nga Arkitekti i Kryeqytetit janë deri në dhjetëfish më të larta se çmimet reale të tregut. Në vlerësimin tonë është e qarte se kemi të bëjmë me një kontratë që e dëmton tej mase buxhetin e Komunës e në anën tjetër të mirat e kësaj kontrate nuk po shihen askund”, ka thënë shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.

Komuna e Prishtinës, nëpërmjet një reagimi, theksoi se duke publikuar faturat, Vetëvendosja synon të bëjë propagandë.

“Ajo faturë e përgjithësuar i ka edhe katër fatura mbështetëse, ku është detajizuar secili cent i shpenzuar për shërbimet e ofruara sipas kontratës së nënshkruar me shërbimin e “Arkitektit të Kryeqytetit”. Të gjitha këto fatura i ka pasur në dispozicion shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por ai qëllimisht nuk i ka postuar për të krijuar opinion të rrejshëm të keqmenaxhimit të parasë publike”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Prej javësh Komuna nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, nëpërmjet të cilave është kërkuar të konfirmohet nëse kryetari Përparim Rama ka pasur raporte kontraktuale në të kaluarën me arkitektin Astrit Nixha, që menaxhon me projektin e shërbimit “Arkitekti i Qytetit”.

Burime të KOHËS thanë se njëra nga referencat që grupi i operatorëve ka përdorur është ajo e një projekti ku ka punuar edhe kompania 4M, pronë e kryetarit Përparim Rama. Komuna nuk ka kthyer përgjigje konkrete për raportin e Ramës me arkitektin Nixha. as këtë informatë dhe sugjeroi që pyetja t’i adresohet kompanisë.

Edhe arkitekti Nixha u pyet gjatë ditës për këtë raport, por nuk ktheu përgjigje. 

Bazuar në kontratë, përmes shërbimit “Arkitekti i Qytetit, do të mbikëqyret secila procedurë në ndërtim, mirëmbajtje, meremetim, rekonstruktim, kontroll të kualitetit, e të tjera.