Arbëri

Komuna sistemon rojë fizike në disa shkolla fillore dhe të mesme në Lipjan

Komuna e Lipjanit muaj më parë ka përfunduar procedurat e prokurimit për zgjedhjen e një kompanie për rojë fizike në disa shkolla fillore dhe të mesme.

Ndonëse kompania ishte vonuar për dhjetë ditë për ta nisur zbatimin e kontratës, por megjithatë ditë më parë në shkolla tashmë janë sistemuar punonjësit e sigurimit. Këta punonjës sipas drejtuesve të shkollave kanë për detyrë mbarëvajtjen e sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative në shkolla. Vëmendje më e veçantë i është kushtuar objektit të shkollës së mesme “Adem Gllavica” në të cilin tashmë janë bartur për mësim edhe nxënësit e klasave 6-9 të shkollës fillore “Vëllezërit Frashri” në Lipjan.

Sipas drejtorit të shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, Jakup Bahtiri, me prezencën e rojeve fizike siguria për nxënësit do të rritet.

“Ka pasur shqetësime lidhur me bartjen e nxënësve prej asaj shkolle në këtë objekt, por duhet ta kuptojnë edhe prindërit se objekti është i ndarë dhe nxënësit tanë e kanë hyrjen e veçantë dhe oborrin e veçantë dhe nuk ka hapësirë për shqetësime. Ndërkaq, tashmë edhe prezenca e rojeve fizike krijon siguri më të madhe për nxënësit”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka shtuar se në objektin e vjetër të shkollës procesi mësimor po vazhdon me dy ndërrime dhe sikur të kishin mundësi të hapësirave nuk do t’i bartnin fëmijët në një objekt tjetër.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, ka thënë për KOHËN se prezenca e rojeve fizike pranë objekteve shkollore ofron siguri më të madhe për nxënësit dhe parandalon dukuritë negative, andaj njofton se nxënësit nuk do të obligohen sikur në të kaluarën të paguajnë disa euro për prezencën e rojeve fizike në shkolla.

“Komuna e ka marrë përsipër këtë punë dhe e kemi kontraktuar edhe operatorin para se të nis procesi mësimor. Por, në fillim ka qenë një problem i vogël me operatorin i cili nuk i ka sjellë personelin me kohë dhe i kemi bërë shkresa dy herë. Objekti në të cilin janë nxënësit e klasës “Vëllezërit Frashri” nga klasa e gjashtë e deri në të nëntën ofron siguri dhe kushte më të mira dhe nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar sepse aty tashmë ka edhe roje fizike dhe kushte të mira sikurse edhe në shkolla të tjera”, ka thënë Hasani.