Edhe pse tash e një javë ekziston vendimi i Gjykatës Komerciale që obligon Komunën e Prishtinës për hapjen e rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, ato vazhdojnë të jenë të mbyllura. Sipas avokatit Ardian Bajraktari, Gjykata ka vendosur edhe masë të pezullimit të vendimit të komunës deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit
Rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” në kryeqytet vazhdojnë të jenë të mbyllura për automjete pavarësisht aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale që anuloi vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e tyre. Padinë ndaj vendimit të Komunës e ka ngritur Grupit ‘KOHA’, përmes avokatit Ardian Bajraktari, i cili tha se ekzistojnë dy arsye që këto rrugë të hapen. Njëra prej tyre sipas tij është edhe vendosja e masës së përkohshme.
“Rrugët do të duhej të ishin të hapura që prej kohësh sepse ekzistojnë dy arsye. E para, sepse me rastin e paraqitjes se padisë nga ana e Grupit ‘KOHA’ është paraqitur edhe kërkesa për masën e përkohshme dhe e njëjta është aprovuar nga ana e Gjykatës që nënkupton që gjendja do të duhej të kthehet në gjendjen që ka qenë para vendimit. Për më tepër, këtë vendim për t’i mbyllur disa rrugë e ka shfuqizuar Komuna e Prishtinës”, ka thënë Bajraktari.
Grupi “KOHA” më 28 gusht 2023 ka ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit “Koha” për të qarkulluar brenda parkingut të vet dhe rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.
Komuna e Prishtinës e kishte shfuqizuar vendimin për mbylljen e disa rrugëve në Prishtinë, por sipas avokatit Bajraktari dhe vendimit të shkallës së parë të Komerciales, edhe ky vendim për shfuqizim po ashtu ishte i kundërligjshëm pasi nuk përmbante as arsyetim dhe nuk ishte bërë sipas Ligjit për Procedurën Administrative.
Banorë që jetojnë në lagjet ku gjenden dy rrugët e bllokuara i thanë KOHËS se po e përgatisin një padi ndaj Komunës së Prishtinës, për mosrespektim të urdhrit të Gjykatës.
Mospërfillja e gjykatës është vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
“Kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm të ndonjë gjykate në Republikën e Kosovës ose refuzon apo pengon publikimin e vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës së tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në nenin 393, paragrafin 1 të Kodit Penal.
E për moszbatimin e vendimit gjyqësor, në Gjykatën Komerciale thanë se përgjegjësi duhet të kërkoj prokuroria.
“Gjykata nuk ka mandat ligjor apo mekanizëm të veçantë që të veproj tutje lidhur me zbatimin/mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për moszbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës”, kanë theksuar në Gjykatën Komerciale.
Komuna e Prishtinës, e as Prokuroria Themelore nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS pse nuk janë hapur këto rrugë dhe se çfarë masa do të merren.