“Për shkak të pamundësive buxhetore, projektin e stacionit të autobusëve është dashur ta ndajë në dy faza. Faza e parë është tenderuar dhe ka qenë në përfundim në vitin 2021, pastaj në vitin 2022 ka qenë e planifikuar faza e dytë, normalisht në fazën e dytë kemi pasur disa telashe me procesin e tenderimit të cilat janë zgjidhur në fund të vitit 2022 dhe është nënshkruar edhe kontrata e fazës së dytë”, ka thënë Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt
Prej më shumë se tre vjetësh, Komuna e Ferizajt ka ngecur në finalizimin e projektit për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve në afërsi të qytetit, si pasojë e mungesës së buxhetit.
Për këtë projekt, Komuna ka planifikuar që t’i shpenzojë nga buxheti vetjak rreth 1.5 milion euro.
Albulenë Çalaj, drejtoreshë e Stacionit të autobusëve në Ferizaj, ka thënë se hapësira e vogël e stacionit aktual po ndikon edhe në realizimin e të hyrave vetjake.
“Ne kemi nevojë shumë të madhe për atë stacion dhe po presim që sa më shpejt të kalojmë në stacionin e ri. Këtu është një pengesë shumë e madhe për qytetarët, sepse vazhdimisht kemi ankesa. Tash është rritur edhe numri i banorëve të cilët po jetojnë në qytet dhe autobusët normalë po shkaktojnë kaos në komunikacion”, ka thënë Çalaj.
Pronarët e kompanive të autobusëve kanë thënë se stacioni i ri i autobusëve në periferi të qytetit duhet të funksionalizohet vetëm për kompanitë e linjave ndërkombëtare, me qëllim që të zvogëlohet tollovia brenda qytetit.
“Janë Shtimja, Babushi dhe të gjitha fshatrat përreth, të gjithë udhëtarët zbresin aty, por edhe ata nga Prishtina. Udhëtarët që zbresin aty duhet të udhëtojnë prej atje deri në qytet, me çka udhëtojnë dhe çdo 15 minuta me qarkullua autobusi urban prapë është projekt i dështuar për qytetarët e Ferizajt. Zgjidhja duhet të bëhet, shembull Shkupi, Tetova e të tjera duhet të largohen nga këtu”, ka thënë Arben Fazliu, pronar i kompanisë së autobusëve “Arbeni Tours”.
Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, ka bërë zotimin se deri në fund të vitit do të finalizohet projekti, për të cilin ka thënë se do të jetë me standarde evropiane.
Ai ka theksuar se me këtë stacion do t’u bëhet zgjidhje të gjitha kompanive të udhëtarëve.
“Për shkak të pamundësive buxhetore projektin e stacionit të autobusëve është dashur ta ndajë në dy faza. Faza e parë është tenderuar dhe ka qenë në përfundim në vitin 2021, pastaj në vitin 2022 ka qenë e planifikuar faza e dytë, normalisht në fazën e dytë kemi pasur disa telashe me procesin e tenderimit të cilat janë zgjidhur në fund të vitit 2022 dhe është nënshkruar edhe kontrata e fazës së dytë”, ka thënë ai.
Bytyqi ka sqaruar se pas finalizimit të stacionit të ri të autobusëve, do të shikohen mundësitë nëse do të ketë linja urbane brenda qytetit.