Projekti për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush”, nga semaforët te Katedralja deri te Hotel Grandi, ka hyrë në fazën testuese.
Të dielën, Komuna e Prishtinës bëri provën e parë zyrtare të funksionimit pa vetura në këtë rrugë, që do të shndërrohet në shëtitore.
Prova u përcoll me reagime të ndryshme, pro e kundër.
Megjithëse asistoi të dielën, Policia ka dalë kundër idesë së mbylljes së përhershme të rrugës – pa u bërë zgjidhje tjetër që nuk do të lejonte krijimin e kaosit, raporton “038” në KTV.
Përkundër kësaj, komuna nuk do të ndalet në projektin e saj për vazhdimin e shëtitores deri te semaforët.
Eksperti i komunikacionit Nol Deda e përkrah largimin e veturave nga qendra.
Por, ai përmend mundësinë e dështimit të projektit nëse ai nuk bëhet si duhet dhe nuk përcillet me ndryshime në rrugët tjera.
Edhe pse nuk është përfundimtare, Tahiri thotë se rrugët “Agim Ramadani” e “Luan Haradinaj”, me shumë gjasë, nuk do të kthehen në njëkahëshe - për të krijuar lëvizje qarkore.
Tahiri po ashtu ka njoftuar se procedurat e prokurimit për ndërtimin e parkingut nëntokësor dhe Parkut Qendror të qytetit mbi të, në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, janë në fazën e kualifikimit të kompanive.
Por, parkingjet brenda qytetit, sipas Dedës, nuk janë të preferueshme për shkak se sjellin vetura afër qendrës.
Përderisa mbyllja e rrugës është paralajmëruar të ndodhë së shpejti, ndërtimi i parkingut dhe parkut mbi të parashihet të bëhet brenda 2 vjetësh.