Arbëri

Komuna nuk e ndal “privatizimin” e pishinës së Gërmisë, prapë thirrje e re

Pishina e Gërmisë

11 qershori është Dita e Çlirimit të Prishtinës, me këtë rast Pishina e Gërmisë tash e sa vjet i hap dyert për vizitorë në këtë kohë.

Edhe pse është duke u mbushur me ujë, nuk dihet se a do t’i hapë dyert për qytetarë këtë herë në këtë datë.

Kjo pasi komuna dhe ndërmarrja e cila bën menaxhimin e pishinës “Sport &Marketing”, nuk po heqin dorë që pishina të menaxhohet nga një operator privat.

Edhe pse i pari, i cili ishte i afërt me LDK-në u tërhoq, ata kanë shpallur sërish konkurs për një operator të ri.

Edhe pse komuna njëherë tha se nuk do ta hapë fare, siç duket i ra pishman.

“Privatizimin” e pishinës së vetme publike në kryeqytet, ushtruesja e detyrës së “Sport & Marketing”, Arnita Canolli, thotë se këtë e kanë bërë për shkak të gjendjes jo të mirë financiare të ndërmarrjes.

Edhe pse gjatë vitit të kaluar komuna pati deklaruar që me pishinën e Gërmisë ka fituar shumë.

“Thirrja e re është hapur me 31 maj dhe do të jetë e hapur deri më datën 10 qershor në ora 12.00, të gjithë mund të aplikojnë. Pastaj komisioni do ta bëjë vlerësimin dhe do ta bëjmë vlerësimin ne. Të interesuar nuk ka ende, ne po presim edhe pse ka kohë deri të hënën. Nuk është privatizim, ky është një bashkë menaxhim, kushtet jo të mira financiare të ndërmarrjes dhe duke u varur gjithë kohen nga subvencionet nga komuna, ne e kemi paraparë një plan të përgjithshëm biznesi dhe e kemi parë që do të na ndihmonte shumë edhe një bashkë menaxhues”, ka thënë Canolli.

Canolli thotë se në momentin e fundit përmes një emali, operatori ka njoftuar se është tërhequr nga konkursi për shkak të presionit publik.

“Në momentin që ndërmarrja e ka bërë njoftimin për përzgjedhjen e fituesit për thirrjen publike. Ka ardhur një emali nga operatori ekonomik që është terhjekur për arsye publike dhe politike, këtë gjë na e ka thënë neve përmes emalit. Kështu ne e kemi bërë një shpallje tjetër dhe tani po presim për operator të tjerë ekonomik. Sepse i mëparshmi ka deklaruar që nuk do të merr pjesë edhe nëse bëhet thirrja prapë”, ka shtuar ajo.

Petrit Reçica nga radhët e LVV-së, thotë se operatori ekonomik i tërhequr ka pasur mungesë të theksuar të dokumentacionit.

“Falë presionit të gazetarëve dhe të qytetarëve, u tërhoq operatori ekonomik i cili doli të ishte edhe i afërm më partinë në pushtet, d.m.th. më LDK-në, pronari është njëkohësisht edhe sekretar i njërës prej degëve të partisë në Prishtinë. Po ashtu doli edhe lajmoi që provuan që të ndërrojnë edhe emrin e kompanisë në ARBK. Pasi u bë e madhe operatori tha se po tërhiqet  prej presionit publik, jo nuk është tërheq prej presionit por e ka ditë edhe vetë që nuk është asgjë në rregull. Në kushtet që i ka qit ndërmarrja ‘Sport & Marketing”, e dokumentacionet i kanë munguar atij operatori ekonomik”, ka thënë Reçica.

Reçica deklaron që nuk është e vërtetë që ndërmarrja ka mungesa financiare, duke shtuar se e kundërshtojnë fuqishëm tjetërsimin e pronës publike.

“Si Lëvizje Vetëvendosje nuk kemi mekanizëm me të cilin mundemi me e ndalë këtë gjë. Ne e kundërshtojmë në çdo formë idenë e tjetërsimit të pronës publike në private. Ne e kemi kundërshtuar edhe thirrjen e hapur. Pse nuk po e hap kjo ndërmarrje vetë thirrjen nuk jemi duke e kuptuar. Pse janë duke dashur që amfiteatrin e Gërmisë dhe shumë pjesë të tjera që i ka pishina e Gërmisë, pse janë tek një operatorit ekonomik. Menaxhojeni vetë, ‘Pishina e Gërmisë’, gjithmonë është menaxhua nga kjo ndërmarrje. Arsye e tyre është që nuk kemi të hyra nuk është e vërtetë, ne kemi kërkua qasje në dokumente zyrtare që po hezitojnë me na i kthye. Sepse “Sport & Marketingu”, ka pasur të hyra vitin e kaluar më shumë së asnjëherë tjetër”, ka deklaruar ai.

Pishina e Gërmisë nuk do të hapet siç ka ndodhur gjithherë më 11 qershor në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, për shkak të vonesave për përzgjedhjen e operatorit ekonomik.

Sipas Canollit, këtë vit në pishinë do të ketë edhe plan artistik, maskota për fëmijë, shezlonë të bukur dhe shërbim më i mirë, kurse çmimet do të mbeten të njëjta sikurse vitin e kaluar.