Arbëri

Komuna jotransparente

Agjencia për Informim dhe Privatësi sivjet shqiptoi 14 gjoba administrative për moszbatim të vendimeve nga institucionet publike. 10 prej tyre i janë shqiptuar Komunës së Fushë-Kosovës. Teksa zyrtarët komunalë nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me çështjen, opozitarët paralajmëruan hapa të tjerë ligjorë për dëmtim të qëllimshëm të buxhetit komunal nga ekzekutivi

Komuna e Fushë-Kosovës ka më së shumti gjoba të shqiptuara gjatë vitit 2023 për moszbatim të vendimeve për qasje në dokumente publike.

Nga 14 gjobat administrative që Agjencia për Informim dhe Privatësi ua shqiptoi sivjet të gjitha institucioneve publike kjo komunë i ka marrë 10.

Dy të fundit, në vlerë prej 8 mijë eurosh, ndërlidhen me ankesat që i ka bërë kuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë, Vlonjat Hasani.

“Njëra ka qenë për heshtjen ndaj kërkesës që e kam kërkuar listën e pronave të Komunës së Fushë-Kosovës, të cilën nuk e ka dhënë Komuna e Fushë-Kosovës për shkak se e ka cilësuar si dokument konfidencial, e cila është krejtësisht e kundërta. Ndërsa, për dy të tjerat kam kërkuar informacione për të punësuarit me Caritas për vitin 2022, profilet e të punësuarve, cilat profesione dhe numrin e tyre saktësisht. Ndërsa, tjetra kërkesë ka qenë për përfituesit e subvencioneve në bujqësi”, ka thënë Hasani.

E Mirsad Qyqalla, shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë, e kritikoi Komunën për zero transparencë.

“Komuna përveç që po bën shkelje, duke mos lejuar qasje në dokumente zyrtare që e ka obligim ligjor nga ana tjetër, shqetësimi tjetër mbetet çka duhet të kenë ato dokumente që janë kaq problematike që t’i kenë në duart e tyre edhe një qytetar siç e parasheh ligji”, ka deklaruar ai.

Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi thanë se gjatë vitit kanë pranuar 666 ankesa, 499 prej të cilave janë mbyllur e 100 janë në proces të shqyrtimit.

“Gjobat janë shqiptuar ndaj institucioneve publike si në vijim:

Komunës së Fushë Kosovës – dhjetë (10) gjoba;

Komunës së Gjilanit – një (1) gjobë;

Universitetit Publik “Hasan Prishtina” – një (1) gjobë;

Komunës së Shtërpcës – një (1) gjobë;

Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – një (1) gjobë”, ka bërë të ditur kjo agjenci.

Në vlerë monetare totali i këtyre gjobave e kap shumën prej 47 mijë eurosh, teksa vetëm në Fushë-Kosovë janë 34 mijë.

Zyrtarët komunalë në Fushë-Kosovë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për çështjen. E në opozitë paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa të tjerë ligjorë për, siç thanë, dëmtim të qëllimshëm të buxhetit komunal nga ekzekutivi.