Arbëri

Komuna e Shtimes vazhdon të përballet me vendime të kundërligjshme në sferën e punësimeve

Komuna e Shtimes gjatë muajve të fundit po përballet me vendime të kundërligjshme në sferën e punësimeve, derisa Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil po e obligon komunën që t’i anulojë ato vendime pas ankesave të bazuara nga kandidatët e tjerë.

Së fundi, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka konstatuar shkelje të Ligjit derisa kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, në janar të vitit 2023 ka emëruar ushtrues detyre, udhëheqësin e Zyrës së Personelit (N. H). Ky zyrtar komunal, është emëruar në kuadër të Zyrës së kryetarit të komunës i cili njëherësh ishte edhe kryetar i Komisionit për pranimin e kuadrove në konkurset e fundit për zyrtarë në Qendër për Punë Sociale në Shtime.

Muaj më parë shkelje ishin gjetur edhe në konkursin e Qendrës për Punë Sociale e po ashtu shkelje të tilla në këtë institucion ishin gjetur edhe në konkursin e dytë për pozitën “Specialist të Përgjithshëm të Shërbime Sociale”.

Në një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave të bazuara konstaton se anëtari i komisionit të pranimit (N. H) në cilësinë e kryesuesit, fillimisht në mënyrë të paligjshme përmes një vendimi NR.02-27 të datës 25.01.2023, mbi bazë ligjore të specifikuar nuk ka pasur të drejtë të caktohet në atë pozitë si ushtrues detyre i Udhëheqësit të Personelit ngase sipas vendimit nuk është respektuar asnjë dispozitë ligjore siç e parasheh ligji për zyrtar Publik Nr.06/L-114.

“I njëjti nuk ka pasur të drejtë që përmes një procedure të paligjshme të caktimit të përkohshëm në një detyrë të caktohet anëtar, përkatësisht kryesues i komisionit të pranimit, andaj mbi këto arsyeje Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, ka vendosë që të anulojë procedurën e rekrutimit sipas këtij konkursi që është objekt i kësaj ankesa dhe po ashtu të shfuqizojë edhe vendimin Nr.02-27 të datës 25.01.2023 nga se i njëjti është i kundërligjshëm nga se referuar ligjit Nr. 06/L-048 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përkatësisht nenit 4 paragrafi 1 ku thuhet: “Këshilli është organ i pavarur që i raporton Kuvendit të Kosovës dhe që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.

Sipas këtij Këshilli, në bazë të ligjeve derisa shqyrtohen ankesat, konstaton shkelje të dispozitave që rregullojnë shërbimin civil, atëherë ndërmerr veprimet sipas detyrës zyrtare me qëllim që të mbrojë rregullat dhe parimet në Shërbimin Civil nga shkeljet Ligjore, materiale dhe procedurale që bëhen nga institucionet përkatëse.

“Dhe në këtë kontest të asaj që u tha më lartë obligohet zyrtari kryesor Administrativ, në këtë rast kryetari i Komunës së Shtimes të ndërmerr veprimet sipas diapozitivit të këtij vendimi, nga se është obligim ligjor i tij që të ndërmerr veprimet administrative konform vërejtjeve dhe të gjeturave të këtij vendimi me qëllim që të kthejë ligjshmërinë në këtë proces dhe në proceset në vijim që lidhen me regrutim të nëpunësve civil, nga se pasojat juridike përmes mosveprimit konform këtij vendimi mund të jenë të pariparueshme, përkatësisht cenojnë rëndë procesin e regrutimit në të ardhmen”, thuhet midis të tjerash në vendimin e KPMSHCK-së.

Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës përmes të njëjtit vendim anulon edhe konkursin e datës 14.12.2022 për “Specialist të Përgjithshëm të Shërbimit Social, për pozitën zyrtar për Shërbime Sociale 2. “Shfuqizohet vendimi i datës 28.02.2023, me numër protokolli 02/1-7, i komisionit të pavarur të Komunës së Shtimes dhe njoftimi i renditjes përfundimtare të kandidatëve të datës 22.02.2023, si dhe të gjitha veprimet administrative që rrjedhin si pasojë e konkursit të datës 14.02.2022. Po ashtu shfuqizohet vendimi Nr.02-27 të datës 25.01.2023 i nxjerrë nga kryetari i Komunës së Shtimes. Obligohet Kryetari i Komunës së Shtimes që në afat prej 15 ditësh nga pranimi i këtij vendimi që të bëj zbatimin e të njëjtit, thuhet më tej në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërimin Civil të Kosovës, duke kërkuar nga komuna e Shtimes që të njoftohet me shkrim sipas afatit ligjor pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim.

Ndërkohë rreth kësaj çështje, nëpërmjet një shkrese ka reaguar edhe subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Shtimes. Sipas këtij subjekti Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka konstatuar shkelje të Ligjit drejtpërdrejtë për kryetarin e komunës Qemajl Aliu, i cili në janar të vitit 2023 kishte emëruar kundërligjshëm ushtrues detyre, udhëheqësin e Zyrës së Personelit (N. H) i cili sipas opozitës është i njohur për vendime të kundërligjshme nëpër sportelet e komunës, andaj sipas opozitës kryetari Aliu, të njëjtin e ka emëruar në kuadër të zyrës së tij udhëheqës të personelit derisa ai ishte edhe kryetar i komisionit për pranimin e kuadrove në konkursin e Qendrës për Punë Sociale në Shtime.

“Nuk është vetëm QPS-ja për të cilin KPMSHCK-ja ka konstatuar shkelje e, për të cilin ne kemi ngritur shqetësimin tonë për disa herë më radhë, mirëpo për fat të keq ka edhe institucione tjera të cilat kanë UD dhe kjo është shkelje e ligjit për të cilën kryetari i komunës Qemajl Aliu do të merr përgjigjen nga organet e drejtësisë.

Vendimi i KPMSHC-së është shqetësues pasi që një zyrtar kundërligjshëm ka marrë dhjetëra vendime të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë në punësimin e militantëve të Qemajl Aliut dhe për këtë ka ankesa të shumta në sportelet komunale”, thuhet midis të tjerash në reagimin e opozitës.

Sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës në Shtime (PDK), kishte ngritur pyetje lidhur me institucionet Komunale të cilat po udhëhiqen me ushtrues detyre, nën dyshimet se janë të kundërligjshëm, mirëpo asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

“Në konkursin e parë në QPS ishin pranuar militantë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, i cili ishte anuluar po ashtu për shkak të shkeljes ligjore që KPMSHCK kishte konstatuar. Për herë të dytë kjo shkelje ligjore është konstatuar pas konkursit për punësim të zyrtarëve në Qendër për Punë Sociale, të cilin konkurs KPMSHCK-ja e ka anuluar duke konstatuar shkelje të ligjit e në mesin e tyre edhe shkeljen e kryetarit Aliu për emërimin e udhëheqësit të zyrës së personelit në kuadër të zyrës së vet”, thuhet më tej në reagimin e PDK-së.

Në anën tjetër, me gjithë insistimin e KOHES, Komuna e Shtimes nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë çështje.