Rreth 40 familje skamnore prej vitesh po përballen me mungesë të strehimit në Komunën e Shtimes. Komuna, me gjithë premtimin e kryetarit Qemajl Aliu gjatë fushatës, ende nuk ka ndarë së paku nëntë banesa komunale që ishin ndërtuar me konsesion për t’iu dhuruar nevojtarëve
Selvie Mehmeti nga fshati Gjyrkovc i Komunës së Shtimes, bashkë me dy anëtarët e familjes, prej vitesh jeton në këtë shtëpi të huaj, që rrezikon të shembet.
Ajo ankohet se krahas mungesës së kushteve elementare në të, shtëpia përbën edhe rrezik për jetën e saj dhe të bashkëshortit e vajzës së tyre.
“Kushtet janë shumë të vështira, sepse kjo shtëpi nuk posedon as banjë e as kuzhinë. Është e pabanueshme dhe kushtet janë tmerr, ndoshta po e shihni edhe këtë pjesën këtu ka qenë edhe një dhomë, por është shemb. Andaj rrezikohet edhe pjesa tjetër e shtëpisë që jetojmë ne brenda. Ka lagështi, ka insekte dhe shumë sene të këqija”, ka thënë Mehmeti.
Për një strehim më të sigurt mbi kokë, ajo kërkon mbështetjen e autoriteteve komunale.
“I bëj apel Komunës të na bëjë zgjidhje me një banesë, sepse më kanë treguar se janë disa banesa në Shtime të lira. Andaj i kisha bërë apel, sepse ne nuk kemi truall tonin”, ka thënë ajo.
Komuna e Shtimes që prej pasluftës i mban në pronësi së paku nëntë banesa në kompleksin banesor që ishte ndërtuar me konsesion për strehimin e disa familjeve skamnore.
Kryetari Qemajl Aliu pati premtuar gjatë fushatës se banesat do t’u ndahen familjeve në nevojë qysh në vitin e parë të qeverisjes. Por deri më tash ato vazhdojnë të mbahen të mbyllura.
E qytetarja Vlora Bajrami thotë se ka paraqitur gjithashtu kërkesë për strehim, pasi jeton në një banesë, qiranë e së cilës ia paguajnë të afërmit.
“Strehim nuk kemi, jetojmë me qira, ndihmë nuk kemi nga askush, qiranë e kemi 170 euro, të cilat duhet të paguhen, kurse nga Komuna nuk kemi asnjë mbështetje. Kemi bërë edhe kërkesë e tash të shohim, sepse shpresat i kemi aty”, ka deklaruar Bajrami.
Në Qendrën për Punë Sociale (QPS) thanë se numri i familjeve për strehim është në rritje.
“Kërkesat për ndërtim i pranojmë ne dhe i dërgojmë në Komunë për ndërtimin e shtëpive për skamnorë. Ndërkaq, ne si institucion, të varfrit i ndihmojmë me pako ushqimore sa të kemi mundësi dhe sa ofrohet mundësia nga donatorët për pako ushqimore për të varfrit”, ka deklaruar Sheribane Bajrami, zyrtare për shërbime sociale në QPS në Sshtime.
Rreth sigurimit të strehimit për familje skamnore u pati zhvilluar debat i ashpër në një nga mbledhjet e fundit të Kuvendit Komunal, me ç’rast kuvendarët ia numëruan kryetarit premtimet e fushatës për ndarjen e këtyre banesave.
Në Komunën e Shtimes, sipas të dhënave nga Qendra për Punë Sociale, kërkesë për strehim kanë paraqitur rreth 40 familje me kushte të rënda ekonomike.