Arbëri

Komuna e Shtimes dështon ta parandalojë ndotjen e ambientit nga furrat e gëlqeres

Banorët e fshatit Dugë të Komunës së Shtimes po vazhdojnë të ankohen për ndotje të ambientit, ujit dhe natyrës që po shkaktohet nga furrat e gëlqeres.

Së paku dy pronarë të furrave në këtë lokalitet bëjnë prodhimin e gëlqeres duke i ndezur furrat me gomat të automjeteve të ndryshme. Ndërkaq komuna e Shtimes ka dështuar të marrë hapa konkret për parandalimin e tyre.

Ndonëse banorët kanë adresuar ankesa në komunë, deri më tash nuk është marrë ndonjë hap konkret lidhur me këtë çështje. Ndërkohë gjatë ditëve të fundit banorët kanë takuar edhe kryetarin e Komunës, Qemajl Aliu, i cili u kishte dhënë premtime verbale se do të angazhohej rreth kësaj çështje.

Eqrem Krasniqi, banor i fshatit Dugë, ka thënë për KOHEN se së paku dy bashkëvendës të tij brenda javës ndezin nga 3 furra të gëlqeres me goma të automjeteve dhe deri më tash komuna nuk ka marrë ndonjë hap konkret për parandalimin e tyre.

“Jemi të shqetësuar me gjendjen dhe ndotjen e cila po shkaktohet në fshatin Dugë por edhe fshatrave përreth. Në këtë lokalitet nuk pihet as uji, ndërkaq është ndotur edhe natyra sepse tymi nga djegia e gomave shkakton dëme të mëdha për jetën e njeriut. Ne si banor kemi qenë në komunë disa herë por nuk është marrë ndonjë veprim, ndërkohë së fundi kemi qenë në takim edhe te kryetari i komunës dhe kemi marrë premtime verbale. Tash po presim sepse brenda javës së paku 3 here ndezën ato furra të cilat në masë të masë të madhe po e ndotin ambientin. Ditë më parë kam parë disa kamionë të cilët të ngarkuar me goma kanë vazhduar rrugën drejtë fshatit Dugë, prandaj kjo është shqetësuese për të gjithë”, ka thënë Krasniqi.

Komuna e Shtimes nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq pronarët që prodhojnë gëlqere me djegien e gomave, pa dashur të identifikohen, kanë thënë se kanë kushte të rënda ekonomike dhe duhet të merren me punë të ndryshme. “Nuk kemi shumë toka bujqësore në këtë zonë malore dhe nuk kemi as punë tjetër. Këtë punë e bëjmë për mbijetesë ani pse e dimë se është shumë e dëmshme qëpari për shëndetin tonë e pastaj ndoshta edhe për ambientin. Mbajmë familje me këtë punë prandaj s’kemi rrugëdalje tjetër”, ka thënë njëri prej pronarëve të furrave në Shtime.

Rreth kësaj çështje të mërkurën nëpërmjet një shkrese ka reaguar edhe dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Shtime.

Sipas subjektit opozitar, ekzekutivi ka dështuar ta parandalojë ndotjen e ambientit në disa lokalitete. “Në mandatin tonë janë rrënuar dhe mbyllur 8 furra të gëlqeres, ndërsa për pronarët e tyre u patën ofruar alternativa për hapjen e minibizneseve nëpërmjet subvencioneve. Për këtë ne kërkojmë që të ndërmerren hapa nga Inspektorati Komunal për shkak se furrat e gëlqeres të cilat shfrytëzojnë gomat si lëndë djegëse janë tejet të rrezikshme për njeriun, ambientin, por edhe ndalon dhe dëmton bizneset të cilat mund të operojnë në ato zona që mund të kenë qëllim rritjen e turizmit malor. Andaj deri më tash ekzekutivi ka dështuar të marrë hapa konkret për parandalimin e ndotjes”, thuhet midis të tjerash në reagimin e opozitës.

Ndërkaq, biokimistët tregojnë se gomat përmbajnë: Plumb, kalium, kompozime të zinkut dhe të bakrit. Qenrim Hasanaj, biokimist ka thënë se të gjitha këto produkte janë kancerogjene, prandaj institucionet në secilën komunë duhet të merren për parandalimin e ndotjes së ambientit nga ndezja e gomave. “Me djegien e gomave jo vetëm që ndotet ajri, toka por edhe uji, sepse mbetjet e hiri përmbajnë edhe gomë ‘Halogjen Bytyl’ e cila nuk dekompozohet por vetëm shpërlahet me ujërat e shirave dhe vazhdon t’i ndotë ujërat e rrjedhshëm dhe arrin deri tek lumenjtë. Në një perimetër rresë furrës së gëlqeres faktikisht është një zonë radioaktive shumë e ndotur që nuk është shumë e dëmshme edhe për vetë ata pronarët e furrave të gëlqeres”, ka thënë ai.

Kenan Gashi, drejtor në organizatën “AVONET” ka shpjeguar se personat që merren me prodhimin e gëlqeres jetojnë me kushte të rënda ekonomike, mirëpo komuna duhet të angazhohet për parandalimin e ndotjes së ambientit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. “Sipas hulumtimeve që kemi bërë kjo është një punë e ndotur dhe është një punë që me javë të tëra ata njerëz nxjerrin nga mushkrit e tyre ‘Dioksid Karboni’ dhe ‘tozit’. Një furrë e cila ndezët 24 deri në 36 orë pa ndërpre me një temperaturë 950 deri në 1200 gradë, i harxhon mbi 1500 goma të veturave ose afër 400 goma të maunave. E gjithë kjo punë bëhet për t’i prodhuar 4 deri në 9 tonë gëlqere kurse çmimi i shitjes së gëlqeres është shumë i lirë gjë që nuk ia vlen të merret askush me atë punë”, ka thënë Gashi.

{gallery}