Tenderi për blerjen e një veture për zyrën e kryetarit të Komunës së Prizrenit, që ishte anuluar në muajin shkurt të këtij viti është rishpallur ditë më parë. Zyrtarët komunalë të Prokurimit kanë sqaruar se riinicimi i kësaj procedure të prokurimit është bërë pas eliminimit të paqartësive me Agjencinë Qendrore të Prokurimit dhe me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Komuna e Prizrenit për afro tre vjet s’ka mundur të blejë veturë për zyrën e kryetarit, si rezultat i një vendimi të vitit 2020 të Qeverisë për ndalimin e procedurave të blerjes së veturave zyrtare për ministritë dhe agjencitë vartëse.
Sipas zyrtarëve komunalë, kërkesat për vetura janë adresuar në nivelin qendror vazhdimisht, por nuk ka pasur përgjigje pozitive.
Thonë se në fund të vitit të shkuar në mënyrë verbale ishte lejuar planifikimi i prokurimit për blerjen e një veture.
“Zyra e prokurimit neve na ka njoftuar se mund të blejmë një veturë, sepse realisht gjendja me vetura në Komunën e Prizrenit është në gjendje shumë të keqe dhe kemi vetura, të cilat tashmë janë jashtë përdorimit, janë vjetruar shumë, janë të amortizuara, kështu që ne kemi pasur një kërkesë për blerjen e veturës, e cila në vitin e kaluar na është thënë se është në rregull që të blihet, dhe pastaj kur është hapur procedura e prokurimit i kanë njoftuar se një vendim i viteve të kaluara që ndalohet blerja e veturave është akoma në fuqi”, ka theksuar Jona Hoxhaj, zëdhënëse e Komunës.
Si rezultat i përkujtimit për ekzistimin e vendimit të Qeverisë, Zyra Komunale e Prokurimit në muajin shkurt pati anuluar tenderin për blerjen e veturës për zyrën e kryetarit.
Isa Osmankaj, shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë të ditur se ditë më parë në komunikimin me zyrtarët e nivelit qendror janë eliminuar paqartësitë dhe tashmë është ritenderuar ky aktivitet i prokurimit.
“Pas sqarimeve me AQP-në dhe me KRrPP është sqaruar edhe kjo paqartësi, andaj ne kemi ri-inicuar procedurën e prokurimit edhe njëherë”, ka deklaruar Osmankaj.
Në njoftimin përkatës vlera e parashikuar e kontratës për blerjen e veturës ishte 50 mijë euro.
Në tetor të vitit 2020, kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti, pati firmosur vendimin për ndalimin e procedurave të blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre. Ky vendim, sipas zyrtarëve lokalë, ende nuk është shfuqizuar.