Arbëri

Komuna e Prizrenit me projektin 250 mijë eurosh synon tërheqjen e vizitorëve në Nashec

Me qëllim të ruajtjes së vlerave natyrore, banorët e fshatit Nashec kanë kërkuar investime nga Komuna për përmirësimin e infrastrukturës dhe ambientit turistik. Komuna e Prizrenit të hënën ka filluar punimet në projektin me vlerë 250 mijë euro për krijimin e një atraksioni turistik për komunitetin dhe vizitorët.

Banorët e fshatit Nashec të Prizrenit, i cili dekada më parë është shquar si destinacion turistik, po kërkojnë kthimin e namit të dikurshëm.

Sipas banorëve, investimet në këtë vend janë të nevojshme për të parandaluar edhe degradimin e mjedisit.

“Pasi nuk shfrytëzohet duhet me u ndërtue, ma ia kthy këtij vendi një pamje qysh ka qenë më herët. Ndoshta s’bëhet si ka qenë më herët, por mund të bëhet edhe më mirë”, ka theksuar banori, Halit Krasniqi.

Përfaqësuesi i fshatit, njëherësh asamblisti Shukri Çuni, ka theksuar se investimi në këtë hapësirë ka qenë i nevojshëm, pasi është dëmtuar mjedisi me hedhjen e mbeturinave.

Ai shpreson që me projekte të tilla të kthehet nami i dikurshëm i Nashecit.

“Unë shpresoj që gradualisht me kërkesat që i kemi bërë në banorët, por edhe përgjigjet që po shihet që tani po i bën Komuna, besoj që ndoshta qind për qind jo, por diku për afër do t’i vjen ajo pamje që e ka pasur dikur Nasheci”, ka deklaruar Çuni.

Kryetari Shaqir Totaj ka vlerësuar se Nasheci ka qenë një pikë e njohur turistike prej kohësh dhe se tani ka nevojë për investime për t’i rikthyer vizitorët.

“Bëhet fjalë për një projekt i cili e kap vlerën diku 250 mijë euro, ndërsa do të jetë rregullimi i lumit apo përroskës këtu pari, do të ketë shëtitore në të dyja anët e përroskës, do të ketë bimë dekorative, dhe do të jetë një ambient i bukur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vijnë në Nashec dhe në pikën turistike për të kaluar kohë të bukur, për të shëtitur pasi do të ketë edhe ndriçim publik. Thjesht, do të bëhet një ambient i këndshëm për të gjithë që dëshirojnë të vijnë dhe të kalojnë kohë të mira”, ka theksuar Totaj.

Komuna e Prizrenit në vitin 2021 kishte investuar në rregullimin e pikës turistike në këtë lokalitet, që ishte dëmtuar vetëm 10 ditë më pas. Sipas përfaqësuesve të fshatit ajo pikë është dëmtuar nga vizitorët.