Kamerat vëzhguese të sigurisë në Prizren nuk janë funksionale prej vitesh, ndërkohë që edhe disa aktivitete të prokurimit patën dështuar. Tash pas realizimit të studimit të fizibilitetit, janë përcaktuar 185 vende për vendosjen e tyre. Komuna ka iniciuar tenderin për projektin tre vjeçar që kap vlerën mbi 930 mijë euro. Organet ligjzbatuese konsiderojnë se vendosja e tyre ndikon pozitivisht në parandalimin e veprave penale
Komuna e Prizrenit sërish ka shpallur tender për vendosjen dhe mirëmbajtjen e kamerave vëzhguese të sigurisë.
Vlera e parashikuar e këtij aktiviteti të prokurimit këtë herë është mbi 930 mijë euro. Në njoftimin për kontratë, theksohet se projekti parashihet që të realizohet për 36 muaj.
Për dallim prej herëve të tjera, shpalljes së këtij tenderi i ka paraprirë realizimi i një studimi të fizibilitetit, ku janë përcaktuar edhe lokacionet për vendosjen e kamerave.
Ramize Sinanaj-Shala, drejtoreshë për Emergjenca dhe Siguri në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ka pohuar se në koordinim me organet ligjzbatuese janë identifikuar 185 vende për kamera në tërë territorin e Komunës.
“Në këtë takim, Policia i ka dhënë koordinatat e veta, aty ku kanë menduar se duhet me u vendos kamerat e sigurisë, ku mund të them se brenda qytetit janë identifikuar 102 vende për vendosjen e kamerave të sigurisë, kurse në fshatra janë identifikuar 83 vende”, tha Sinanaj-Shala.
Vebih Zekolli, komandant i Stacionit Policor në Prizren ka theksuar se kamerat vëzhguese të sigurisë luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e veprave penale dhe se pikat primare janë në zonën urbane.
“Kryesisht zona urbane është ajo ku është përqendrimi i njerëzve, edhe i aktiviteteve, telasheve, problemeve, veprave penale, të gjitha. Edhe është shumë e rëndësishme që këto aspektin preventiv e kanë shumë të rëndësishëm. Se si shihet kamera, pak më ndryshe kanë me reagu njerëzit”, tha Zekolli.
Kamerat parashihet të vendosen te zonat rreth monumenteve historike, shkollave, institucioneve, objekteve fetare, hyrje-daljeve në autostradë dhe fshatrave e të tjera.
Rrugët e sheshet kryesore të Prizrenit filluan të vëzhgohen nga kamerat e sigurisë që prej vitit 2012, kur drejtoria e Emergjencës investoi 200 mijë euro për instalimin e 70 kamerave. Por vite më pas, në bazë të raportimit të organeve ligjzbatuese, rezultoi se pjesa më e madhe e tyre nuk ishin në funksion.