Arbëri

Komuna e Prizrenit hap tender për studimin e fizibilitetit për kamerat e sigurisë

Pas dështimeve të shumta të aktiviteteve të prokurimit për vendosjen e kamerave vëzhguese të sigurisë, Komuna e Prizrenit ka shpallur tenderin për studimin e fizibilitetit për këtë projekt, me vlerën e parashikuar prej 50 mijë eurove. Derisa hisedarët në forume të ndryshme kanë vënë në pah nevojën e funksionimit të kamerave, zyrtarët komunalë kanë pohuar se do ta realizojnë këtë kërkesë

Komuna e Prizrenit prej vitesh nuk ka arritur që me sukses t’i përmbyllë procedurat e prokurimit për projektin e vendosjes së kamerave vëzhguese të sigurisë. Këto përpjekje patën dështuar edhe në vitin e shkuar. Për këtë arsye zyrtarët e qeverisë lokale ditë më parë kanë shpallur tenderin për studimin e fizibilitetit për vendosjen e këtyre kamerave me të cilin aktivitet të prokurimit synojnë të gjejnë zgjidhje për jetësimin e këtij projekti.

Lidhur me mosfunksionimin e kamerave vazhdimisht ka pasur ankesa nga organet e sigurisë, të cilat shqetësime janë adresuar në mbledhjet e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

“Policia për të hetuar atë rast u desh me bë kërkesë nëpër familje, qytetarë e biznese, që të ketë qasje në kamera, sepse nuk ka kamera në atë zonë, por edhe në qytetin e Prizrenit. Pra, çështja është kur do t’i ofrohet siguri nëpërmjet kamerave qytetarëve të Prizrenit me rrethinë?", ka theksuar asamblisti Shkëlzen Kastrati.

Jona Hoxhaj, zëdhënëse e Komunës së Prizrenit, ka thënë se vazhdimisht ka pasur probleme me paramasat dhe parallogaritë e tenderit për kamerat vëzhguese të sigurisë dhe se për këtë arsye Drejtoria e Emergjencave dhe e Sigurisë ka paraparë realizimin e një studimi të fizibilitetit që do të ofrojë detaje lidhur me të gjitha elementet e duhura të vendosjes së kamerave në qytetin e Prizrenit.

“Për ne jo se kjo çështje vjen nga KKSB-ja, por se edhe mendojmë se është një çështje esenciale vendosja e kamerave në qytet, duam ta shtyjmë përpara këtë projekt dhe prandaj po e shtyjmë përpara këtë. Por gjithsesi me anë të studimit të fizibilitetit do të kemi një tabelë më të qartë dhe pamje më të qartë se si duhet të veprojmë për këtë projekt”, është shprehur Hoxhaj.

Rrugët e sheshet kryesore të Prizrenit patën filluar të vëzhgoheshin nga kamerat vëzhguese të sigurisë që prej mesit të vitit 2012, kur Drejtoria e Emergjencës kishte investuar 200 mijë euro për instalimin e 70 kamerave në pikat kryesore.

Por vite më pas, në bazë të raportimit të organeve ligjzbatuese rezultonte se pjesa më e madhe e tyre nuk janë në funksion.