Arbëri

Komuna e Prizrenit fton qytetarët që gjatë verës të solidarizohen me mërgimtarët

Numri i kufizuar i parkingjeve në hapësirat publike në Prizren po krijon telashe për pjesëmarrësit në trafik. Gjatë verës, Komuna po bën përpjekje që t’u dalë në ndihmë mërgimtarëve me ofrimin e parkingut falas në disa hapësira. Por përdoruesit e rregullt të parkingjeve konsiderojnë se duhet menaxhim më efikas i parkingjeve ekzistuese si dhe shtim i numrit të tyre

Komuna e Prizrenit po tenton që të krijojë lehtësira për mërgimtarët gjatë sezonit të pushimeve, duke vënë në shërbim të tyre disa vendparkingje publike.

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka kërkuar nga qytetarët që e shfrytëzojnë më gjatë se një ditë parkingun pas “Shtëpisë së Bardhë” dhe në rrugën “Nuredin Shala” që t’i tërheqin automjetet, ngase në të kundërtën këtë do ta bëjnë organet përgjegjëse.

Për mërgimtarin Xhevxhet Ahmetaj, iniciativa e Komunës lidhur me parkingjet është e mirëseardhur.

“Ky është vendim i mirë, shumë vendim i mirë, sepse me të vërtetë po bëhet tollovi e madhe gjatë pushimeve”, ka thënë Ahmetaj.

Eroll Shabani, aktivist i shoqërisë civile dhe përdorues i rregullt i parkingut publik pohon se angazhimi i Komunës lidhur me këto hapësira duhet të shtrihet në tërë vitin, meqë automjetet jofunksionale qëndrojnë aty me muaj.

“Menaxhimi i parkingjeve duhet të bëhet brenda komplet vitit dhe jo vetëm në këtë periudhë. Po ashtu, jemi duke e parë që këto parkingje nuk mjaftojnë, pasi kemi fluks të madh të qytetarëve”, ka thënë Shabani.

Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike, ka theksuar se ky dikaster e ka parë të arsyeshme që të ofrojë parkingje për mërgimtarët dhe se një gjë e tillë do të mundësohet në katër lokacione, përfshirë hapësirat afër ndërtesës së Kuvendit të Komunës

Sipas tij, në zonën urbane janë identifikuar vende për parkimin e afër 700 automjeteve, që do të menaxhohen nga operatorët ekonomik pas zhvillimit të procedurave nga Sektori i Pronës.

Ndërkohë, ka apeluar te qytetarët që gjatë verës të solidarizohen me mërgimtarët.

“Ne e kemi një lutje për qytetarët e Prizrenit që këto vendparkingje që po ua sigurojmë bashkatdhetarëve, të jemi më të kufizuar me veturat tona në daljet në qytet, që t'ju lëmë një mundësi më shumë atyre që vijnë për ti kaluar pushimet e tyre në vendlindje, në Kosovë”, ka thënë Lamaj.

Krijimi i parkingjeve të reja në qytet, ishte një prej zotimeve elektorale të kryetarit aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj. Zyrtarët komunalë kanë pohuar se sivjet do të bëhet hartimi i projektit, ndërkohë që tek në vitin e ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i tyre.