Arbëri

Komuna e Prizrenit anulon konkursin për stomatologë, Prokuroria nis hetimet

Konkursi për rekrutimin e tre stomatologëve, i hapur vitin e shkuar, nuk është finalizuar nga Komuna e Prizrenit. Njoftimi për anulimin e kësaj procedure është publikuar të enjten në uebfaqen e Komunës. Kandidatët konsiderojnë se në këtë rast u janë shkelur të drejtat e tyre. Prokuroria ka nisur hetimet

Konkursi i Komunës së Prizrenit për rekrutimin e tre stomatologëve, i hapur para një viti, është anuluar të enjten, ndërkohë Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur hetimet.

Fejzë Kabashi, njëri prej kandidatëve që në qershor të vitit të shkuar i është nënshtruar testit me shkrim, ka thënë se Komuna nuk i ka dhënë ndonjë arsyetim se pse është anuluar procedura e rekrutimit.

“Realisht, çdo qytetari në këtë formë i shkelen të drejtat njerëzore. Nuk e di për ligjore, por njerëzore dhe morale janë dhunuar të drejtat, se një vit ti si kandidat me një procedurë të një konkursi pa asnjë përgjigje, pa asnjë njoftim, qoftë të brendshëm, qoftë publik, vërtet është më shumë se shqetësuese”, ka thënë Kabashi.

Komuna e Prizrenit në uebfaqen e saj të enjten ka publikuar njoftimin për anulimin e procedurës së rekrutimit për konkursin e hapur më 4 prill 2022 për tri pozita doktorë stomatologë në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë.

“Afati për anulim është zgjatur për shkak të konfuzionit që ka shfaqur Zyra ligjore lidhur me përfundimin e procedurës së rekrutimit pas dorëheqjes së dhënë nga tre anëtarë të komisionit”, thuhet në njoftim.

Nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kanë thënë se rasti është në fazën fillestare.

“Prokurori i shtetit brenda afateve ligjore do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Andaj, për çdo eventualitet lidhur me rastin do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Fitore Mehmeti–Sejrani, zyrtare për informim në Prokurori.

E kandidati Kabashi dyshon se shkeljet në këtë rast mund të jenë serioze, meqë janë përfshirë organet e drejtësisë.

“Përderisa vetë organet e drejtësisë e kanë në dorë, tash unë po pres që ata të japin përgjigje për këtë, me siguri flitet për ndonjë shkelje goxha serioze, sepse është vërtet e pakuptimtë arsyeja tjetër se pse një vit të mos ketë përgjigje nëse s'ka ndonjë shkelje serioze në të”, shtoi Kabashi.

Në qershor të vitit të shkuar, mbi 30 doktorë të stomatologjisë kanë marrë pjesë në testim në këtë konkurs. Rezultatet e testit nuk janë publikuar, meqë tre anëtarë të komisionit rekrutues dhanë dorëheqjen.